Kakavijë – Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, inspektim në pikën e kalimit kufitar

Kakavijë, Gjirokastër – Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit Eduart Merkaj, inspektim në pikën e kalimit kufitar për masat në prag të zgjedhjeve.
Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit Eduart Merkaj zhvilloi një inspektim në Pikën e Kalimit Kufitar në Kakavijë, për të parë nga afër zbatimin e masave të marra në kuadër të procesit të zgjedhjeve, qoftë sa i përket pikave të kalimit, ashtu edhe për pjesën e kufirit të gjelbër. Këto masa kanë si qëllim parandalimin e veprave penale, që mund të kryhen gjatë kësaj periudhe në kufi. Me këtë rast Merkaj zhvilloi gjithashtu një takim me oficerët e FRONTEX që ofrojnë asistencë në kufi për punonjësit e policisë kufitare, ditë kjo që përkoi me datën 22, kur bëhej edhe ndërrimi i radhës së kolegëve nga vendet e BE-së.
Në një komunikim me mediat,
Drejtori Merkaj: Sot vizita ime këtu është në kuadër të gjitha vizitave që po bëhen nëpër Drejtoritë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, për të parë shtimin e masave të policisë kufitare para zgjedhjeve dhe gjatë procesit zgjedhor. Jo vetëm për këtë fakt, por edhe për një fakt tjetër, pasi sot bëhet edhe ndërrimi i turneve të Frontex-it. Sot në datë 22 është ndërrimi i radhës së kolegëve të cilët vijnë nga vendet e Bashkimit Europian. Duke qenë se ishte edhe kjo mundësi, unë bëra një takim të shkurtër edhe me ta.
Këtu u pa kryesisht pjesa e hyrjes në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, por nga Drejtori Vendor i Kufirit dhe Migracionit m’u bë edhe një tablo për sa i përket masave të marra, për sa i përket kufirit të gjelbërt. Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare e sheh më me risk kontrollin e këtij kufiri, pasi elementë të ndryshëm kriminalë, apo të dyshuar për vepra penale, mund të mendojnë, apo mund të kryejnë veprat penale, të cilat kryhen në kufi. Ju e dini që policia është gatishmëri. Shumica e punonjësve të policisë me uniformë do të jenë nëpër qendrat e votimit, të cilët do të marrin në ruajtje sipas ligjit zgjedhor që është i parashikuar, dhe më pas ditën e diel, kur do të fillojë procesi zgjedhor, do të vazhdojnë duke ndenjur në largësinë e duhur. Pas përfundimit të procesit do të shoqërojnë materialet zgjedhore për në qendrat e votimit.
Pyetje: Ç’mund të na thonë për këtë lloj bashkëpunimi me Frontex-in?
Drejtori Merkaj: Për sa i përket pyetjes së parë, dua t’ju them që njoftimi i të gjithë shtetasve shqiptarë, të cilët ndodhen në Shqipëri, në Greqi, apo në vendet e tjera me të cilat ne kufizohemi, njoftimi i tyre është bërë prej jush, pasi ne e kemi dhënë gjithmonë njoftimin. Në vendimin që është marrë në datë 19 nga Komiteti Teknik dhe më pas, i shoqëruar me urdhrin e Ministrit të Shëndetësisë nr. 219, dt.19 prill, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dërguar një telegram, të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, sipas funksionaliteteve, sipas Departamenteve përkatës që në bazë të procedurave standarde, të marrin detyrimet e tyre në bazë të këtyre dy urdhrave.
Dua t’ju them se në bazë të urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë është e parashikuar shumë qartë për masat që duhet të marrë Policia e Shtetit në kontrollin e shtetasve apo qoftë në momentin që ata hyjnë, për t’i vënë në dijeni dhe për të plotësuar një formular i cili është i miratuar, ku është shprehur shumë qartë në lidhje me veprimet që duhet të ndërmarrin shtetasit, pasi është përgjegjësi e tyre për vetëkarantinimin.
Për pyetjen e dytë, unë mund t’ju jap një tablo të shkurtër. Jo më larg se dje në raportin ditor që më është bërë, të paktën për Korçën dhe për Gjirokastrën ku operon edhe operacioni i përbashkët me FRONTEX, dua t’ju them se ka pasur disa persona të shpallur në kërkim, në pika të kalimit kufitar, jo vetëm, por edhe në kufirin e gjelbër. Gjithashtu kemi pasur shërbime të përforcuara, për arsye sepse shtetas të ndryshëm mendojnë se për shumë arsye, Policia e Shtetit nuk do të jetë më edhe aq e vëmendshme për kontrollin e kufijve dhe mund të kryejnë vepra të ndryshme penale të krimeve ndërkufitare.
Pyetje: Ju thatë se është bërë një propozim nga Komiteti Teknik i Shëndetësisë në dt. 19 prill, që është botuar në Fletoren Zyrtare vetëm mbrëmjen e djeshme. Ndërkohë që 24 orë në pikën kufitare kanë hyrë emigrantë, të cilët kanë plotësuar këtë formular, i cili paraprakisht ka qenë i jashtëligjshëm. Përse ka ndodhur, pra, më përpara se kjo të botohej në Fletoren Zyrtare?! Pasi është një propozim, pastaj merret një vendim nga Ministria e Shëndetësisë dhe më pas botohet në Fletoren Zyrtare?
Drejtori Merkaj: Propozimi i dhënë nga Komiteti Teknik, të cilët janë njerëzit përgjegjës që marrin këto vendime, është shoqëruar me urdhrin e Ministrit të Shëndetësisë, me numër 219, dt. 19.04.2021. Urdhri, neve na ka ardhur ne fizikisht në këtë datë. Se kur është botuar në Fletoren Zyrtare, unë s’e di çfarë t’ju them. Absolutisht që ka hyrë në fuqi Urdhri i Ministrisë të Shëndetësisë, pasi ne na ka ardhur si Polici e Shtetit, një urdhër i firmosur, i protokolluar brenda Ministrisë së Shëndetësisë. Që nga ai moment Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka përgatitur një Telegram, siç jua thashë, që ua ka përcjellë edhe forcave të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike, edhe Drejtorive Vendore të Policisë, por edhe Drejtorive Vendore të Kufirit dhe Migracionit, për të marrë detyrimet e tyre sipas procedurave standarde, sipas punës së tyre të përditshme. Faleminderit!