Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 31 mars 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit ndaluan, për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, shtetasin D. B., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 29.03.2021, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. N. (A), 27 vjeç. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan shtetasit D. S., 18 vjeç dhe E. H., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 06.03.2021, shtetasi D. S. i ka vjedhur motorin shtetasit Sh. S. dhe më pas ia ka shitur shtetasit E. H. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin F. H., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “BMË”, është përplasur me një mjet tjetër, duke i shkaktuar dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Premtimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion. Vihet në pranga, për shfrytëzim të prostitucionit dhe për mbajtje të lokaleve për prostitucion, administratori i një lokali në Fier, person me precedent të mëparshëm penal. Procedohen penalisht dhe 2 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga administratori i një lokali, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi. Në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor, u finalizua operacioni policor i koduar “Premtimi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, shtetasi M. Xh., 59 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për veprën penale “Rrëmbim personi”. Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”, një shtetase 33 vjeçe dhe një shtetase 55 vjeçe, të cilat janë kapur në flagrancë në lokalin e marrë me qira nga shtetasi M. Xh., në Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 45 vjeç, pasi nga kontrolli fizik dhe i mjetit me të cilin ky shtetas qarkullonte, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 2 gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotikë kokainë, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në doza, gati për shitje. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve J. M., 25 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur: P. P., 32 vjeç, pasi ditën e djeshme duke drejtuar mjetin u përfshi në një aksident me një mjet motor me drejtues E. Ç., 27 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra, ndërroi jetë në spital. Më datë 30.03.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit Sh. M., 32 vjeç, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Berat – Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat u arrestua në flagrancë shtetasi E. E., 30 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat, pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur një hidrant të furnizimit me ujë të zjarrfikëseve, në lagjen “30 Vjetori”.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Vjedhja”./ Gjithashtu, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit filloi procedimi penal për shtetasin Z. M., 17 vjeç, banues në lagjen “Jani Vruho”, Berat, pasi ka thyer me gurë xhamin e ambienteve që përdoren nga një subjekt politik si zyrë elektorale, në lagjen “Jani Vruho”, Berat.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

Qarku Korçë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Vjedhja”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 52 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në zonën industriale të këtij qyteti, ky shtetas dyshohet se ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj dhëndrit të tij shtetasit E. A., 34 vjeç, banues në fshatin Buçimas. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. A., 30 vjeç, banues në Bilisht, pasi ky shtetas në Bilisht, ka vjedhur në lokalin e shtetasit V. K., 47 vjeç, një sasi me pije alkoolike dhe pije freskuese. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Më datë 31.03.2021 janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në ngarkim të shtetasit E. S., banues në Cerrik, pasi dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale me një 16-vjeçare, pa dëshirën e saj. Punohet për kapjen e këtyre shtetasve.

Fier – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim, ndaluan shtetasit F. S. (K)., 44 vjeç, banues në Fermë Çlirim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 17.12.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale ”Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”; E. T. (B)., 32 vjeç, banues në Martinë, Fier, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datë 30.03.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale ”Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 80 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 16 janë arrestuar në flagrancë dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Kukës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan,1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 8 raste, 4 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i Trafikimi i mjeteve motorike”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Tiranë dhe 2 në Shkodër, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Po në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe 1 tjetër për “Dhunimi i banesës”.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Dibër dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Lezhë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një funksion publik”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.