Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Krasta 2021”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Krasta 2021”.

Operacioni i zhvilluar nga RENEA, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Gjatë operacionit është vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.

Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov.

Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, mëngjesin e sotëm, gjatë operacionit policor të koduar “Krasta 2021”, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasin:

Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç, banues në Elbasan.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Florenc Çapja, 40 vjeç, banues në Elbasan.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve.