Durrës – Thyen kutinë e votimit, arrestohet në flagrancë

Durrës

Hyn me armë në qendër të votimit, kërcënon komisionerët, thyen kutinë e votimit, por arrestohet në flagrancë nga Policia.

Policia i sekuestron edhe një armë zjarri kallashnikov.

Në datë 30.06.2019, rreth orës 08:55, në Katund Sukth, Durrës, shtetasi R. B., 53 vjeç, banues në Katund Sukth, është futur me armë zjarri në QV nr. 1521, dhe pasi ka kërcënuar komisionerët, ka marrë kutinë e votimit duke e nxjerrë jashtë ambienteve të QV dhe ka hedhur materialet zgjedhore.

Reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur kapjen e këtij personi. Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia i gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik model 56, me të cilën autori hyri në qendër votimi.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit.