Kolonjë/Pogradec
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim, vihen në pranga 4 shtetas.
Dy prej të ndaluarve, të dënuar me nga 3 vjet burg për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Perimetri” dhe 1 tjetër i dyshuar për vjedhje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacione të siguruara në rrugë policore, bënë ndalimin e shtetasit R. V., 35 vjeç, banues në Ersekë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 23.10.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 3 vjet burg për veprën penale “Mashtrimi” kryer më shumë se një herë.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Stacionin e Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, u bë ndalimi i shtetasit G. H., 43 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 28.09.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 3 vjet burg, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Po nga këto struktura, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Fushë-Krujë, u bë ndalimi i shtetasit L. R., 34 vjeç, banues në Fushë-Krujë, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 07.01.2021, ka urdhëruar ndalimin e këtij shtetasi, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 11.09.2020, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, ku 34-vjeçari, duke qarkulluar me një mjet tip “Benz”, me të cilin po transportonte emigrantë të paligjshëm, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar në hyrje të qytetit të Pogradecit, por u largua dhe braktisi mjetin në afërsi të fshatit Hudënisht.
Gjithashtu u bë ndalimi edhe i shtetasit E. A., 35 vjeç, banues në Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje), pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së një aparati celular në dyqanin e një kompanie celulare, ngjarje e ndodhur në datën 27.11.2020, në lagjen nr. 5, Pogradec.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.