Nuk zbatuan masat anticovid, ndëshkohen me masë administrative 377 shtetas

U konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse, ndëshkohen me masë administrative 3.000 lekë, 364 qytetarë.

Ndëshkohet me 1.000.000 lekë një subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.

Masë administrative edhe për 12 shtetas që u konstatuan duke lëvizur në këmbë pas orës 22:00.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 364 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar një lokal në të cilin ushtrohej aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për këtë subjekt u vendos masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 12 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 22:00, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.