Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë. Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim, arrestohet në flagrancë 1 drejtues mjeti.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. M., 24 vjeç dhe A. B., 30 vjeç, si dhe proceduan penalisht shtetasit A. V., 20 vjeç dhe F. D., 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Këta shtetas, edhe pse shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur që nuk lejohen tubimet dhe grumbullimet për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, kanë vijuar të protestojnë. Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës ndaluan shtetasin A. H., 17 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim policor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, pasi në periudha të ndryshme kohore ka kanosur shtetasin I. M., 14 vjeç, duke përfituar herë pas here shuma të ndryshme parash. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin I. F., 52 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, ka goditur një tjetër mjet duke shkaktuar dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave të forta në doza të vogla. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kinemaja”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.  Sekuestrohen 141 doza me heroinë, 18 doza me kokainë, shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale, një peshore e vogël elektronike dhe dy aparate celular. Bie në pranga poseduesi i tyre.  Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në qytetin e Elbasanit, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas një pune hetimore disajavore u bë e mundur goditja dhe dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarisë kriminale.  Gjatë operacionit të koduar “Kinemaja”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasin M. B., 40 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 141 gramë lëndë narkotike heroinë,  18.5 gramë lëndë narkotike kokainë, një peshore e vogël elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike,  4100 euro dhe 300 paund, të cilat dyshohen se janë të përfituara nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së lëndës narkotike, si dhe dy aparate celular. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas. Njëri prej të arrestuarve nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe tentoi të largohej, por u kap dhe ndalua. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve G. D., 36 vjeç dhe A. J., 23 vjeç, banues në Pogradec.  Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, pranë fshatit Hudënisht, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin fuoristradë tip “Benz”, të cilin e drejtonte shtetasi G. D., shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Shtetasi A. J., në momentin kur Policia po ushtronte kontroll ndaj tij, ka tentuar të largohet, por menjëherë është kapur dhe ndaluar.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. B., 38 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi në Rrugën e Elbasanit, i ka vjedhur portofolin shtetasit D. A., në autobusin e transportit urban.   Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. M., 31 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi në rrugën “Kastriotët”, në autobus, i ka vjedhur portofolin shtetasit I. M.  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”,“Vetëgjyqësia”dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin S. LL., 45 vjeç, administrator i një firme në rrugën “Ndre Mjeda”, pasi ka vendosur me vetëgjyqësi 8 kamionë të tonazhit të rëndë duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe portat hyrëse në kompleksin e ndërtimit të firmës. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 29 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, ka fyer dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatit të tij, për motive të dobëta.  Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. K., 38 vjeç dhe T. K., 25 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; S. B., 18 vjeç, pasi në Rrugën e Elbasanit, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu 8”.  Operacioni nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Tentuan të transportonin emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga një 32-vjeçar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Sekuestrohen dy automjete dhe një aparat celular. Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 8”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Ç., 32 vjeç, banues në Krujë dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër (për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet).  Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Qafë Muzinë – Gjirokastër do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit S. Ç., i cili u kap në afërsi të fshatit Jorgucat. Ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim, kanë tentuar të transportojnë 7 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “Volkswagen” dhe “Alfa”.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Lezhë – Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë ndaluan shtetasen L. L., 53 vjeçe, banuese në Lezhë, me detyrë drejtoreshë e Zyrës së Shërbimit të Provës Kurbin, për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme një shumë parash nga shtetasi E. P., me qëllim shmangien e kryerjes së dënimit alternativ të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin për këtë shtetas.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Elbasan, 2 në Gjirokstër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste: 1 në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 6raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja me dhunë”, në Fier, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Kukës dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korcë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizmi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar  2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.