Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”.

Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Vihen në pranga 3 shtetas.

Sekuestrohen rreth 7 kg kanabis, lëndë narkotike ekztazi, LCD, kokainë, peshore elektronike dhe 1 aparat celular.

Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, për kontrollin e të gjithë territorit, me qëllim evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me lëndë narkotike, merren me shpërndarjen e tyre apo i mbajnë ato në banesë, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Bashkëpunimi”, si rezultat i të cilit u goditën 2 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në vende të ndryshme, konkretisht:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

E. L., 36 vjeç dhe A. S., 25 vjeç, pasi në fshatin Shëngjergj, shtetasi A. S. është kapur në flagrancë duke i shitur rreth 7 kg lëndë narkotike kanabis shtetasit E. L.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. XH., 33 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij u gjetën droga të ndryshme sintetike (Ektazi, LCD), si dhe lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, të cilat u sekuestruan së bashku me një peshore elektronike dhe 1 aparat celular.

Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.