Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu 7”.  Operacioni nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohet një automjet. Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 7”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. Xh., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe I. Xh., 30 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve E. Xh. dhe I. Xh, të cilët u kapën në afërsi të fshatit Sofratik, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 6 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Mercedez Benz”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Spring Square”. Sekuestrohen 840 doza heroinë, një sasi lëndë narkotike marijuanë dhe 2 peshore elektronike që përdoreshin për peshimin e lëndës narkotike. Arrestohet në flagrancë 31-vjeçari, poseduesi i lëndës narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve që disponoheshin nga seksioni për Hetimin e Krimeve se një shtetas kishte sende të kundërligjshme në banesë dhe merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, organizuan punën dhe finalizuan operacionin e koduar “Spring Square”. Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi E. I., 31 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi mbi bazën e informacioneve se ky shtetas merrej me shpërndarjen e drogave të forta në doza të vogla, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit E. I., dhe kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 840 gram,  lëndë narkotike heroinë, një sasi lëndë narkotike marijuanë dhe 2 peshore elektronike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Tentuan të transportonin 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Sekuestrohet një automjet dhe disa aparate celular. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, goditën një tjetër rast duke vënë në pranga shtetasit B. S., 40 vjeç, banues në Tiranë dhe F. N., 30 vjeç, banues në Mat. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj dyshohet se me mjetet e tyre private kundrejt shpërblimit monetar,kanë tentuar të transportuar 4 shtetas emigrantë të paligjshëm në qytetin e Tiranës me qëllim transportimin e tyre drejt qytetit të Kukësit me qëllimin final kalimin e tyre drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.

Shkodër – Finalizohet operacioni policor antidrogë “Ura e Shtrenjtë”, nga strukturat e DVP Shkodër.  Arrestohet në flagrancë 1 shtetas me precedent të mëparshëm penal.  Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis.  Nga strukturat e Seksionit kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u finalizua operacioni policor “Ura e Shtrenjtë”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 58 vjeç, banues në fshatin Ura e Shtrenjtë, Postribë, Shkodër, i dënuar më parë për dhunë në familje. Pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas shpërndante lëndë narkotike në zonat rurale, konkretisht në fshatin Ura e Shtrenjtë, Njësia Administrative Postribë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në këtë fshat dhe kanë konstatuar shtetasin A. R., i cili në momentin që ka parë punonjësit e Policisë ka hedhur në tokë një qese, brenda së cilës kishte lëndë narkotike cannabis sativa.  Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një qese plastike me lëndë narkotike cannabis sativa, e cila në 127 doza.  Gjithashtu, ky shtetas ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij, në banesë.  Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Dhuna në familje” dhe “Pastrimi i produktit të veprës penale”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 33 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste: 1 në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Fshehja e të ardhurave”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i korrupsionit, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.