Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu 6”. Operacioni nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 43-vjeçari. Sekuestrohet një automjet. Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 6”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. T., 43 vjeç, banues në Tiranë. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit E. T., i cili u kap në afërsi të fshatit Glinë, duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Mercedez Benz”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Vihet në pranga një 25-vjeçar, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 4 shtetas të huaj nga vendet e treta. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas transportonte nga Korça, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit 120€ për person, kapën dhe arrestuan shtetasin R. Sh., 25 vjeç, banues në fshatin Libofshë, Fier. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Elbasanit, duke transportuar 4 shtetas të huaj me mjetin e tij. Në momentin e ndërhyrjes së punonjësve të Policisë ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar të largohet, por është vënë në pranga. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik “.
Fier – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Bien në pranga 2 shtetasit që posedonin dhe shpërndanin lëndën narkotike. Sekuestrohen 4 doza me lëndë narkotike kokainë, 19 doza me cannabis sativa dhe municion luftarak. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, shërbimet e Policisë Fier, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Golf” me drejtues shtetasin K. S. dhe gjatë kontrollit në lokalin që ai kishte marrë me qira në fshatin Baltëz, ku punonte kamerier shtetasi I. T., kanë gjetur 4 doza me lëndë narkotike kokainë, 4 doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe disa fishekë luftarak. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit I. T. u gjetën 15 doza me lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier u arrestuan në flagrancë shtetasit K. S., 26 vjeç dhe I. T., 22 vjeç, banues në Baltëz, Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ishëm/Durrës – Goditën me mjete të forta dhe mjete prerëse 3 shtetas, arrestohen në flagrancë 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Arrestohet dhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja. Gjobitet edhe me masë administrative, pasi nuk respektoi orarin për mbylljen e aktivitetit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasit A. K., 36 vjeç, Xh. K., 21 vjeç, banues në Ishëm dhe R.(G). A., 34 vjeç, banues në Sukth. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Sh. I., dyshohet se kanë goditur me mjete të forta shtetasit D.(P). K., 55 vjeç dhe S. A., 62 vjeç, ndërsa shtetasi R.(G). A. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. K., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Sh. I., 31 vjeç, banues në Ishëm (pronari i lokalit ku ka ndodhur ngjarja), për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka njoftuar Policinë për konfliktin e ndodhur në ambientet e lokalit të tij. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi nuk ka respektuar orarin e vendosur për mbylljen e aktivitetit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R.(K.). L., 34 vjeç, banues në fshatin Malbardhë, Kurbin, pasi ka kanosur me thikë fqinjën e tij, për motive të dobëta. Shërbimet e Policisë Lezhë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit M. P., banues në Lezhë, i shpallur në kërkim veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë më të mitur 14-18 vjeç”. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë Kurbin u bë ndalimi i shtetasit D. H., 21 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi dyshohet të ketë vjedhur targat e mjetit në pronësi të shtetasit Z. F. Gjatë kontrollit të banesës të shtetasit D. H., u gjet dhe u sekuestrua një sasi municion luftarak. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 132 shtetas, nga këta: 39 janë të arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 88 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 15 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 rast i “Vrasja”, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 17 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 30 raste, 9 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 21 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me dy autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 raste i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja me shumë”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar një rast i “Armëmbajtja pa leje”, ku autori është ndaluar.
Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 19 raste aksidentesh, me 24 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 14 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.