Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Krujë – Goditet një tjetër tentativë për trafikimin e lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni i koduar “Nënkalimi”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Sekuestrohen rreth 38 kg lëndë narkotike marijuanë. Arrestohet në flagrancë një 44-vjeçar, poseduesi i lëndës narkotike. Në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se me një automjet po transportohej lëndë narkotike, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Nënkalimi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi P. L., 44 vjeç, banues në Tiranë. Në aksin rrugor Laç-Fushë Krujë, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Fushë Krujës”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin P. L. Gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit u gjetën rreth 38 kg lëndë narkotike marijuanë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti “Volksëagen” dhe 2 aparate celular. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion. Vihet në pranga menaxheri i një qendre masazhi dhe shpallet në kërkim pronari i saj, për shfrytëzim prostitucioni dhe për përshtatje të qendrave të masazheve për shfrytëzim prostitucioni. Procedohen penalisht dhe 4 shtetase, për veprën penale “Prostitucioni”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se në rrugën “Don Bosko” disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri dhe pronari i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve. Në bazë të provave të grumbulluara, si rezultat e një pune disamujore, u kap dhe u vu në pranga menaxheri i qendrës së masazhit, shtetasi K. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim pronari i kësaj qendre, shtetasi E. Sh., 23 vjeç. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rekrutonin femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronin ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale. Klientët e kësaj qendre bënin pagesa për dy shërbime dhe përfitimet ndaheshin ndërmjet administratorit dhe punonjëseve që kryenin këto shërbime. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht edhe 4 shtetase të punësuara në këtë qendër, për veprën penale “Prostitucioni”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Lezhë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Distanca”. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet policore në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë – Goditet një tjetër tentativë e prodhimit dhe trafikimit të bombave me telekomandë për shpërthim në distancë. Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas që tentonin të trafikonin dyshohet drejt Malin e Zi, dy bomba me telekomandë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi proaktiv njëmujor, bënë të mundur parandalimin dhe goditjen e një tjetër rasti të tentativës për prodhim dhe trafikim të bombave me telekomandë për shpërthim në distancë. Në kuadër të hetimit u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Distanca”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. Ç., 33 vjeç dhe M. G., 30 vjeç, banues në Durrës (të dënuar me parë). Këta shtetas u kapën në flagrancë në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit”, në hyrje të qytetit të Lezhës. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e shtetasit M. G. janë gjetur dy bomba me mekanizëm shpërthimi në distancë nëpërmjet aparatit telefonik celular, ku njëra ishte me lëndë të dyshuar plasëse e llojit tritol dhe tjetra me lëndë të dyshuar si plasëse e llojit dinamit, të cilat dyshohet se do t’i trafikonin në drejtim të Malit të Zi. Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” kryer në bashkëpunim.
Lezhë – Finalizohet pas një hetimi 3-mujor, operacioni policor i koduar “Vela”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë dhe forcën e posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë. Ekzekutohen urdhrat e ndalimit për 4 shtetas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të marra në rrugë operative nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, për disa shtetas që merreshin me kultivimin e bimëve narkotike, kryesisht në territorin e Njësisë Administrative Kolsh, në fshatin Velë, u referuan materialet në Prokurori, ku u regjistrua dhe procedimi penal. Pas një hetimi 3-mujor, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë dhe forcën e posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizoi me sukses operacionin policor “Vela”. Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, u bë ekzekutimi i urdhrave të Prokurorisë, për ndalimin e 4 personave nën hetim, konkretisht D. Ll., 46 vjeç, A. Gj., 44 vjeç, F. N., 46 vjeç dhe A. D., 47 vjeç, banues në fshatin Velë dhe Lezhë. Këta shtetas dyshohet se gjatë vitit 2020, në zonat pyjore të fshatit Velë, Njësia Administrative Kolsh, Lezhë, kanë kultivuar bimë narkotike të llojit cannabis sativa, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar nga shërbimet policore. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, si edhe arrestohen në flagrancë 2 bashkëpunëtorët e tij, të cilët u kapën duke transportuar kundrejt fitimit, 7 emigrantë të paligjshëm. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë dhe Policinë Kufitare, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim M. S., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit B. D., 20 vjeç, banues në Tiranë dhe R. K., 25 vjeç, banues në Durrës. Shtetasit e mësipërm janë kapur nga forcat e Policisë, në afërsi të fshatit Beragozhd, Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “Benz” dhe “Ford”, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shumës 1400 euro në total, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Shtetasi M. S. ishte shpallur në kërkim policor më datë 11.10.2020, në kuadër të këtij operacioni, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë të ndaluar.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste i “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Berat; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Berat dhe 1 në Fier; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste: 4 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 tjetër të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 5 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i monedhave”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedosh në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 7 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjete pa leje drejtimi, 6 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.