DVP Berat – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Bllokohet nga Policia, 1 automjet që transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme

Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Bllokohet nga Policia, 1 automjet që transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Procedohet penalisht drejtuesi i mjetit që po transportonte lëndën drusore.

Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Berat dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndaluar në vendin e quajtur “Ura e Varur”, Berat, një mjet furgon që transportonte lëndë drusore.

Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i mjetit, shtetasi E. K. ishte duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.

Drejtuesin e mjetit, shtetasin E. K., 33 vjeç banues në Starovë, Berat, në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Parandalimin e Krimit e kanë proceduar penalisht.

Materialet në ngarkim të tij janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

————-

Vijojnë kontrollet nga Policia e Beratit për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, 1 subjekt në Kuçovë, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.

Strukturat e Policisë Berat, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë subjektin në pronësi të shtetasit D. K., në lagjen “Tafil Skëndo”, Kuçovë, pasi u konstatua i hapur dhe duke i shërbyer klientëve pas orës 22:00, në kundërshtim me Aktin Normativ.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid, si dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilido administrator lokali që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.