Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i cili transportoi emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 11.09.2020, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim E. B., 29 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë.

Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec me vendimin e datës 30.10.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Më datë 11.09.2020, në hyrje të qytetit të Pogradecit, shërbimet e policisë në bazë të informacioneve të grumbulluara dhe dyshimeve se një shtetas me mjetin tip “Benz” po transportonte emigrantë të paligjshëm në drejtim të Tiranës, i kanë bërë me shenjë këtij shtetasi të ndalonte, por ky i fundit nuk iu bind urdhrit të tyre duke u larguar me shpejtësi dhe duke braktisur mjetin të cilin drejtonte në fshatin Hudënisht, brenda të cilit u gjet një emigrant i paligjshëm që kundrejt shpërblimit prej 60 Euro, i kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme.