Qarkullonte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë 20-vjeçari.
Gjatë operacionit policor u arrestuan dhe 2 shtetas të tjerë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë gjahu shotgun dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, kanë intensifikuar punën dhe dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:
D. F., 20 vjeç, banues në Bulqizë.
Kapja e tij u bë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Sektori Dushaj”, ku ai po qarkullonte në automjet me dy shokë të tij nga Tirana.
Nga kontrolli i imtësishëm i automjetit u gjetën të fshehura një armë zjarri automatik, një armë gjahu shotgun dhe 30 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit D. F., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”;
S. H., 24 vjeç dhe A. Ç., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Strukturat hetimore të DVP Dibër, në bashkëpunim me
Prokurorinë Dibër, vijojnë hetimet për zbardhjen e veprimeve që do të kryenin këta persona që u kapën duke qarkulluar me armë zjarri.
Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.