Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 nëntor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kurbin – Vijojnë operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Operacioni nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 5 Tiranë.  Kapet dhe ndalohet 33-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim. Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, duke u bazuar dhe në informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, nga shërbimet e Policisë Kurbin është organizuar dhe finalizuar operacioni policor “Ndjekja”, si rezultat i të cilit, në vendin e quajtur Tapizë, u kap dhe u ndalua shtetasi A. L., 33 vjeç, banues në Thumanë (me precedentë të mëparshëm kriminal).  Ky shtetas është shpallur në kërkim në muajin tetor 2020, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim edhe nga DVP Korçë, pasi në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka transportuar 14 shtetas të huaj, më qëllim kalimin e kufirit, kundrejt pagesës.  Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun Elbasan, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.  Evidentohet një subjekt që ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit. Në pranga pronari i subjektit dhe bashkëpunëtori i tij. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasit S. Ç., 23 vjeç dhe R. K., 37 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tyre u bë pasi në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një aparat celular dhe një kompjuter me faqe sportive të hapura, ku ishin të vendosura biletat me ndeshje. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.

Vlorë – Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.  Arrestohen në flagrancë 3 shtetas.  Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve F. M., 25 vjeç, F. R., 37 vjeç dhe H. R., 30 vjeç, banues në Vlorë. Në bazë të informacioneve të siguruara, në afërsi të fshatit Panaja, forcat e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e këtyre shtetasve, të cilët po qarkullonin me një mjet tip “Peugeot” në autostradën Fier-Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shtetasin F. M. dhe pasagjerë shtetasit F. R. dhe H. R., u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 300 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, 2 prej tyre të shpallur në kërkim. Forcat e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. (M).B., 36 vjeç, pasi në rrugën “Irfan Tomini”, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën dhe iu sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë dhe një sasi lënde narkotike kanabis. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. T., 38 vjeç, pasi më datë 19.11.2020, ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit E. B. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. C., 45 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vjedhja” , “Mashtrimi në sigurime“ dhe “Kallëzimi i rremë”. Nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. S., 50 vjeç, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 1 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. K., 30 vjeç, pasi në rrugën “Besim Alla”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.74 mg/l; L. Ç., 42 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.65 mg/l, ka aksidentuar këmbësorin me iniciale V. Gj, 36 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, i koordinuar nga Departamenti i Policisë Kriminale. Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasve Ilir Plaku, 55 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Apelit në Cagliari/Itali, në vitin 2014, e ka dënuar me 5 vjet, 11 muaj e 12 ditë burgim, për veprat penale “Trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Rezistencë ndaj punonjësit  publik”, parashikuar nga Kodi Penal italian; Braniol Liço (Ago), 45 vjeç, banues në Durrës, të cilin Gjykata e Apelit në Brescia/Itali, në vitin 2016, e ka dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Trafikim ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Organizatë kriminale”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë.

Tropojë/Kukës – Arrestohen në flagrancë 2 drejtues mjetesh. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. D. 64 vjeç, banues në Tropojë. Shtetasi Xh. D. u konstatua nga shërbimet e Policisë në qytetin e Tropojës, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, në masën 1.20 mg/l. Gjithashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës arrestuan në flagrancë shtetasi M. A., 27 vjeç, banues në Kukës. Arrestimi i tij u bë pasi, në rrugën “Shëtitorja e Re”, në Kukës, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar shtetasin L. C. 63 vjeç, banues në Kukës, i cili ka qenë duke lëvizur me biçikletë. Shtetasi L. C. ndodhet në spitalin rajonal Kukës, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 38 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja” dhe 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste: 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet ën gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 6 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.