Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave dhe bizneseve.
Zbardhen dhe dokumentohen tri vjedhje, vihet në pranga autori i dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e tri ngjarjeve të ndodhura ditët e fundit në qytetin e Korçës, që bëjnë fjalë për vjedhjen në dy banesa dhe në një lokal, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të tyre, shtetasin M. M., 26 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për vjedhje).
Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet se në lagjen nr. 18, ka vjedhur në lokalin bar-kafe të shtetasit O. G., dy televizorë plazma, një modem, një aparat dixhital; në banesën e shtetasit E. Ç., ka vjedhur një televizor, si edhe në lagjen nr. 12, në banesën e shtetasit M. M., ka vjedhur një televizor.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Vjedhja, e kryer më shumë se një herë”.