Policia e Shtetit vlerësohet nga organizata George C. Marshall Albania, me medaljen “Marshall”/Medal of Honor, për sakrificën, përkushtimin dhe angazhimin maksimal për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.
Gjatë një ceremonie të organizuar në Hotel Tirana, nga organizata George C. Marshall Albania, Policia e Shtetit u vlerësua me medaljen “Marshall”/Medal of Honor.
Medalja “Marshall”/Medal of Honor me motivicionin “Për kontributin e shkëlqyer të të gjithë burrave dhe grave nën uniformën e Policisë së Shtetit gjatë situatës pandemike COVID-19 në Shipëri” u tërhoq nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, i cili falënderoi organizatorët për vlerësimin dhe mbështetjen për Policinë e Shtetit.
Vocaj ka apeluar për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat anticovid, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të tyre, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe s’ka aspak qëllim ndëshkimin sasior me gjoba, por ka qëllim respektimin e masave që të bëjmë të mundur ndërprerjen e zinxhirit të infektimit me covid.
Gjithashtu, gjatë ceremonisë, nga organizata George C. Marshall Albania, me medaljen “Marshall”/ Medal of Honor u vlerësua dhe kryekomisar Hergis Jica, për kontributin e tij të veçantë në parandalimin e krimeve kibernetike gjatë ekspozimit online në situatën pandemike COVID-19 në Shqipëri.
Krahas strukturës së Policisë së Shtetit, me këtë medalje u vlerësuan dhe përfaqësues nga fusha e mjekësisë dhe e medias.