Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë – Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M. D., 34 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, pasi mbrëmjen e djeshme, pas një konflikti për motive të dobëta, ka marrë pa dëshirë, në mjetin e tij, shtetasin B. R., banues në Vlorë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë ndaluar shtetasin Xh.(E.). R., 40 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Apelit Korçë e ka dënuar me 20 ditë burg, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Korçë – Finalizohet operacioni policor “Arratia”. Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Komisariatin e Policisë Devoll, për kapjen e një shtetaseje me rrezikshmëri të lartë shoqërore, e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Vihet në pranga 46-vjeçarja e dënuar në Greqi, me 20 vite burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Strukturat për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë shkëmbimit të informacionit me Zyrën e Interpol Tirana dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll, finalizuan operacionin e koduar “Arratia”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për ndalimin e shtetases në kërkim ndërkombëtar Irena Kostaki (Zeria), 46 vjeçe, banuese në fshatin Miras, Devoll, për të cilën është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Gjykata e Lamias në Greqi, me vendim penal të formës së prerë, e ka dënuar këtë shtetase me 20 vite burg, për veprën “Vrasja me qëllim”, sipas legjislacionit grek, e cila korrespondon me veprën penale “Vrasja me paramendim” të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Kjo shtetase, më datë 28.08.1995, në Diles, Greqi, ka vrarë duke e mbytur me duar, vajzën e saj 9-muajshe dhe më datë 05.03.1997 është arratisur nga Qendra e Paraburgimit të Femrave në Koridalo, Greqi, ku ka qenë me masë sigurie. Masa e sigurisë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë është caktuar për efekt të njohjes së vendimit të Gjykatës së Lamias, Greqi.
Manzë/Durrës – Vijon puna për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Sekuestrohen rreth 3 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Bie në pranga poseduesi i lëndës narkotike, 21-vjeçari me precedent të mëparshëm kriminal. Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe në zbatim të masave të mara për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në Sukth, Durrës, kanë ndaluar për verifikim mjetin me drejtues shtetasin I. D., të cilit i kanë kërkuar lejen e lëvizjes dhe më pas kanë ushtruar kontroll fizik në mjet për sende të kundërligjshme. Gjatë kontrollit në mjetin tip “Benz”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një sasi lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin I. D., 21 vjeç, i dënuar në vitin 2018, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
DVP Fier – Bien në prangat e Policisë 6 shtetas, katër prej tyre për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt dhe dy për dhunë në familje. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier, në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që drejtojnë mjetet në mënyrë të parregullt duke u bërë burim aksidenti, arrestuan në flagrancë shtetasit L. K., 48 vjeç, banues në Fier, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur; M. A., 38 vjeç, banues në Fier, pasi në lagjen “Apollonia”, u kap duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur; A. H., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi drejtonte automjetin tip “Volksëagen” në gjendje të dehur. K. B., 46 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Ford”, i pa pajisur me leje drejtimi. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin G. P., 23 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj prindërve të tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasen M. S., 39 vjeçe, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të saj. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë – Parandalohet një rast vjedhjeje nga forca e posaçme “Shigjetat”. Lëvizte i maskuar në rrugët pa ndriçim, për të mos u identifikuar dhe kapur nga Policia, arrestohet në flagrancë 20-vjeçari me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes dhe krimeve ndaj personit. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale disa mjete që ky shtetas i përdorte për të realizuar vjedhjet. Forcat e posaçme “Shigjetat” dhe “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të kontrollit të imtësishëm të territorit, patrullimit në të gjitha lagjet e kryeqytetit dhe rrugicat pa ndriçim, në rrugën “Hiqmet Delvina”, forca e posaçme “Shigjetat” ka konstatuar një shtetas me një kapuç në kokë dhe me maskë në fytyrë, i cili mbante një çantë me vete. Në momentin që këtij shtetasi i është bërë shenjë ndalimi dhe i është kërkuar të identifikohet, ai ka filluar të bëjë lëvizje të dyshimta dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 20-vjeçari është autor i 3 vjedhjeve, konkretisht: më datë 10.11.2020, ka vjedhur në shumë parash, një laptop dhe një aparat celular në një klinikë, më datë 16.10.2020, ka vjedhur një shumë parash në një dyqan në rrugën “Andon Zako Çajupi” dhe më datë 27.10.2020, ka vjedhur një shumë parash dhe një laptop në një lokal. Nga kontrolli i ushtruar në çantën që ky shtetas mbante me vete u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë materiale mjete të cilat ky shtetas i përdorte për të realizuar vjedhjet. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, i shtetasit M. S., 20 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Vjedhja”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Kukës – Vijon operacioni policor i koduar “Astiri 2020”. Kapet dhe ndalohet një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Në vijim të operacionit policor të koduar “Astiri 2020”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, u procedua në gjendje të lirë 1 shtetase dhe u shpallën në kërkim 3 shtetas të tjerë, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariatin e Policisë Krujë, ka bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit në kërkim Xh. Xh. 35 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, do të transportonte disa shtetas sirianë që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit. Vijon puna për kapjen e personave të tjerë që janë shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Artan Nisllaj, 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër e ka dënuar me 18 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Forca e posaçme “Shqiponjat”, në zbatim të Planit të Masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe evidentimin e personave që posedojnë lëndë narkotike, në Rrugën e Elbasanit kanë ndaluar për kontroll mjetin tip “BMW” me drejtues shtetasin B. K. Gjatë kontrollit të mjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të dyshuar lënde narkotike sintetike. Në përfundim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i B. K., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. Sh., 24 vjeç, pasi në rrugën “Ibrahim Rrugova”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; L. H., 41 vjeçe, pasi në Rrugën e Dibrës, u kap duke drejtuar mjetin motor në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/l. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. Vihen në pranga 4 shtetas sirianë. Njëri prej të arrestuarve, u kap duke transportuar kundrejt fitimit, me një mjet të vjedhur të cilin e drejtonte pa leje drejtimi, tre personat e tjerë (emigrantë të paligjshëm) si edhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatet e Policisë Devoll dhe Maliq, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve I. B., 34 vjeç; H. S., 23 vjeç; J. G., 36 vjeç dhe O. K., 29 vjeç, banues në Siri. Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin rezulton se kanë vjedhur mjetin tip “Opel” në pronësi të shtetasit E. A., banues në Bilisht. Këtë mjet e drejtonte pa leje drejtimi shtetasi I. B., i cili synonte t’i transportonte tre shtetasit e tjerë drejt Tiranës. Në afërsi të vendit të quajtur “Tyrbja e Gocës”, në Maliq, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi dhe ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga. Për pasojë janë dëmtuar lehtë të katërt këta shtetas, të cilët morën ndihmën e parë në spitalin e Korçës. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 64 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 raste i “Kanosja”, në Durrës; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Berat; 2 raste të “Plagosja e rënde me dashje”, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Durrës dhe 2 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, ne Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrim prone”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Heqja e paligjshme e lirisë”, në Vlorë, ku autori ëshët arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 2 në Durrës,
2 në Elbasan, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.