Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit në kredi.
Finalizohet nga specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, operacioni policor i koduar “Kredia-4”.
Ndalohet 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit në kredi, zhvilluan dhe finalizuan operacionin e koduar “Kredia-4”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:
H. L., 33 vjeç, banues në Tiranë. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. A. ( nuk jepen të dhëna tjera për arsye hetimi).
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë marrë kredi të vogla në institucione mikrofinanciare duke përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara.
Punohet për kapjen e shtetasit L. A. dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi në kredi“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve.”