Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin R. M., 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka thyer masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë jashtë banesës të tij.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. B., 40 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.55 mg/l.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, shtetasin G. Q.(C.), 25 vjeç, pronar i një subjekti privat, pasi në fshatin Marikaj, në aksin rrugor Tiranë-Durrës, ka shpërdoruar tokën duke vendosur tumbina betoni të mbuluara me çakull në kanalin kullues të autostradës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.