Mëngjesin e sotëm, në vendkalimin kufitar Hani i Hotit (Bozaj), shërbimet policore dhe ato doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të një kamioni tranzit, kanë gjetur të fshehur brenda ngarkesës me fruta-perime, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar marijuanë.
Kamioni që drejtohej nga shtetasi E. C. ishte ngarkuar me fruta-perime në shtetin grek dhe kishte hyrë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, tranzit për në vendet e BE-së.
Policia e Shtetit, pas shkëmbimit të informacioneve paraprake me homologët malazezë, ka dërguar në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve, me qëllim kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe përcaktimin e origjinës se nga është marrë lënda narkotike.