Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Kukës, arrestuan në flagrancë shtetasit E. B., 28 vjeç dhe E. Ç., 22 vjeç, të dy banues në Kukës.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në aksin rrugor Morinë-Kukës, gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. B. dhe pasagjer shtetasin E. Ç., u gjetën një leje drejtimi automjeti polake dhe një letërnjoftimi polake me të dhënat e shtetasit polak M. B., të dyshuara të falsifikuara, si dhe 1 shkop bejsbolli, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.