Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, operacioni policor i koduar “Stacioni i fundit”.
Sekuestrohen dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë, një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa, shuma të ndryshme parash, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate celular.
Vihet në pranga poseduesi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Stacioni i fundit”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
A. H., 47 vjeç, banues në Tiranë, poseduesi i lëndës narkotike.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve janë siguruar informacione në rrugë operative se në banesën e tij në rrugën “Aleksandër Moisiu” posedonte lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve është ushtruar kontroll fizik ndaj tij dhe në banesë, ku Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 58 gramë lëndë narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një sasi me lëndë të dyshuar cannabis sativa, shuma të ndryshme parash, 2 peshore dhe 4 aparate celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.