Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 tetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tropojë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Babina”. Operacioni nga DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë. Qarkullonte me armë zjarri pistoletë dhe një shumë të konsiderueshme në euro me vete, kapet dhe prangoset nga Policia. Gjatë kontrollit në banesën e tij në fshatin Babinë, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kanabis.  Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas po qarkullonte me armë zjarri me vete, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Babina”. Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. Q., 29 vjeç, banues në Babinë, Tropojë. Në një lokal në qytetin e Barjam Currit, gjatë kontrollit të ushtruar, në çantën e dorës së shtetasit A. Q. shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri tip pistoletë, një karikator me 6 fishekë dhe 10180 euro. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në fshatin Babinë, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe një tjetër armë zjarri kallashnikov me 28 fishekë, ndërsa në afërsi të banesës u gjet një sasi prej 2.9 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjirokastër – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu”. Brenda pak orësh goditen 2 raste të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit. Operacion nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 4 shtetas. Njëri prej të arrestuarve drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. B., 29 vjeç, A. R., 37 vjeç dhe J. Sh., 36 vjeç, banues në Elbasan. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, me dy mjete do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e mjeteve dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve D. B., A. R. dhe J. Sh., të cilët, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në afërsi të fshatit Vanistër, u kapën duke transportuar 5 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, me mjetet autoveturë  tip “Ford” dhe “Volkswagen”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet. Brenda një kohe të shkurtër është goditur edhe një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Përmet, kanë bërë arrestimin e shtetasit F. D., 18 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Çarçovë-Përmet, në afërsi të fshatit Munishtir, duke transportuar 6 shtetas të huaj me një mjet tip furgon të marrë me qira, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kapën duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore, Forcat Speciale “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve L. O., 21 vjeç dhe F. S., 32 vjeç, banues në Prizren, Kosovë.   Shtetasit e mësipërm janë kapur nga shërbimet e Policisë në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetet tip “Volkswagen” dhe “Audi”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Durrës – Vijon operacioni “BYE PASS”.  Ndalohet një shtetase e shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.   Procedohet penalisht një tjetër shtetas, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Pushtimi i tokës”. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të operacionit të koduar “BYE PASS”, kanë ndaluar shtetasen Dh. L., 55 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë proceduan penalisht shtetasin B. Z., banues në Krujë, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke të shtetasit A. T. dhe më pas ka hedhur inerte guri në sipërfaqen e tokës.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Kurbin – Qarkullonte me mjet me leje drejtimi të falsifikuar, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari. Gjatë kontrollit në mjet i gjendet edhe një armë e ftohtë (thikë).  Shërbimet e Policisë Rrugore dhe forca e posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë qarkun Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave që qarkullojnë me sende të jashtëligjshme në automjet, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në qytet Laç, kanë ndaluar mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit të dokumentacionit nga Policia Rrugore, ky shtetas ka paraqitur një leje drejtimi të falsifikuar. Forcat e posaçme “Shqiponja” kanë vijuar kontrollin brenda në automjet, ku kanë gjetur  dhe sekuestruar një armë të ftohtë (thikë). Në vijim të veprimeve, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 39 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Kapet dhe ndalohet një 33-vjeçar i shpallur në kërkim, autor i dyshuar i tri vjedhjeve në qytetin e Elbasanit.  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kanë kapur dhe ndaluar shtetasin G. V., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, sepse më datë 01.10.2020, në bulevardin “Aqif Pasha”, Elbasan, ka vjedhur biçikletën e shtetases A. T.  Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas është autor edhe i dy vjedhje të tjera në Elbasan,  konkretisht: Më datë 12.10.2020 dyshohet se ka thyer xhamin e mjetit tip “Benz” në pronësi të shtetases A. S. dhe ka marrë dy ora dore; Më datë 16.10.2020 dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e mjetit tip “Benz” në pronësi të shtetasit A. K. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë dhe 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë kapur dhe ndaluar shtetasin B. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. C., 47 vjeç, pasi në rrugën “Marko Borçari”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike duke e goditur me sende të forta bashkëjetuesen e tij, e cila është dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimin në flagrancë i shtetasit A. D., 36 vjeç, pasi në gjendje të dehur ka ofenduar, kërcënuar dhe ka tentuar të godasë me mjet prerës (thikë) babanë dhe vëllanë e tij, në banesën e tyre. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Q. Ç., 64 vjeç, pasi në rrugën “5 Maji”, ka vjedhur biçikletën e shtetasit K. C. Nga specialistët e  Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. R., 29 vjeç, H. B., 60 vjeç dhe M. Gj., 25 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Gjatë natës, në Shkozë, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht banesa në pronësi të shtetasit V. M., ku ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të zjarrit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Informacion paraprak – U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”, për një shtetas rreth moshës 60 vjeç (nuk ka të dhëna të tjera), pasi dyshohet se më datë 21.10.2020, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur 17-vjeçare. Punohet për saktësimin e gjeneraliteteve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Shkodër – Vijon operacioni antidrogë “Thethi”. Shkon në tre numri i të arrestuarve. Kapet dhe ndalohet një nga shtetasit e shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të operacionit “Thethi”, i finalizuar rreth dy javë më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin M. D. 28 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, Shkodër.  Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ishte shpallur në kërkim si person i implikuar në ngjarjen e datës 05.10.2020, në fshatin Reç, Malësi e Madhe, ku shtetasit T. K. dhe A. T., të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, u konstatuan duke transportuar 8 kg lëndë narkotike me një mjet tip “Renault”. Vijon puna për kapjen dhe ndalimin edhe të shtetasit tjetër të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vlorë – Vijon puna intensive për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Kapet dhe ndalohet një shtetas në kërkim kombëtar, i dënuar për trafik narkotikësh.  Procedohet penalisht një 39-vjeçar që po transportonte personin në kërkim. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim N. A., 31 vjeç, të cilin Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 11 muaj e 21 ditë burg, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”,  kryer në bashkëpunim. Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. M., 39 vjeç, banues në fshatin Lepenic, Vlorë, për veprën penale “Përkrahja e autori të krimit”, pasi u kap në aksin rrugor Kaninë-Peshkëpi duke transportuar me automjet shtetasin N. A. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme hetimore.

Vlorë – Më datë 22.10.2020, në mesnatë, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, është djegur plotësisht automjetiti i markës “Nisan”, në pronësi të shtetasit O. K., 35 vjeç, banues në Vlorë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Më datë 21.10.2020, në fshatin Vranisht, Himarë, në vendin e quajtur “Gurra”, është gjetur pa shenja jete shtetasi R. Sh., 72 vjeç, banues në Himarë, i cili dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Më datë 21.10.2020, në orën 11:40, në lagjen “Stefanel”, Himarë, është gjetur i pajetë, në banesë, shtetasi B. C., 43 vjeç, banues në Potam, Himarë. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja është aksidentale, pasi është rrezuar në tualetin e banesës. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Velipojë/Shkodër – Vijon operacioni “Fati i lojërave”. Kontrolle të vazhdueshme për evidentimin e rasteve të ushtrimit të lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme. Kontrollet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë, bazuar edhe mbi raportimet e ardhura nga qytetarët në aplikacion Komisariati Dixhital. Evidentohet ushtrimi i aktivitetit të lotarive të palejuara në një lokal, arrestohet në flagrancë pronari i lokalit.  Sekuestrohen 5 makineta, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në vijim të goditjeve të vazhdueshme ndaj organizmit të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin, bazuar dhe në raportimet e ardhura nga qytetarët në Komisariatin Dixhital, për një lokal në të cilin ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit, kanë ushtruar kontroll në lokalin e shtetasit A. P., në fshatin Gomsiqe e Re, Velipojë, Shkodër. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 makineta, një tavolinë, çipsa dhe letra bixhozi që shërbejnë për ushtrimin e lojërave të fatit. Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi A. P. 32 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Velipojë, Shkodër. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara”dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 25 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Korçë dhe 1 në Fier; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, ku autroi po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 2 në Tiranë, 1 në Korcë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar dy raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i prerjes së paligjshme të pyjeve, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Shkodër dhe 1 në Lezhë, ku autori janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Shkodër dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Kalim i paligjshëm i kufirit”, 2 në Gjirokastër dhe 1 në Korçë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në të gjithë vendin.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.