Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 tetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Stuhia”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP-së, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Zbardhet tentativa për vrasjen e 51-vjeçarit, në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga dy autorët që ndoqën 51-vjeçarin, për ta vrarë. Autorët me precedent të theksuar kriminal për vjedhje me armë dhe plagosje. Në pranga edhe dy bashkëpunëtorët e autorëve, njëri prej tyre me precedent kriminal në fushën e narkotikëve. Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën autorët do kryenin krimin, automjeti me të cilin u larguan, maskat e përdorura për të mos u identifikuar, rroba policie e prova të tjera që shërbyen për dokumentimin e ngjarjes. Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi A. Dh., i cili ka treguar se mbrëmjen e datës 15.10.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dy persona të maskuar dhe të armatosur e kanë ndjekur deri në hyrje në hyrje të pallatit, me qëllim për ta eliminuar atë, menjëherë kanë organizuar punën në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe strukturat hetimore të DVP Tiranë, për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i një pune intensive hetimore dhe profesionale të bërë nga këto struktura, u bë i mundur sigurimi i provave që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Mbi bazën e provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Nr. 2 u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Stuhia”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe prangosja e dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht: G. L., 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë me 6 vite burgim, për vjedhje me armë në Gjermani, dhe A. H. 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje me armë. Po në kuadër të operacionit u bë e mundur të identifikohen dhe të ndalohen dhe dy bashkëpunëtorët në këtë ngjarje, shtetasit: M. M., 30 vjeç dhe E. H., 26 vjeç, i dënuar më parë me 4 vite e 9 muaj, për “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale: një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, mjeti në pronësi te shtetasit A. H., që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes, veshjet e përdorura nga autorët, një shkop hekuri policie nga ato me hapje, një palë pranga, 6 telefona celular, rroba uniforme policie dhe kamuflazhi e prova të tjera materiale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Durrës – Ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar në kuadër të operacionit “BYE PASS”. Arrestohet një 20-vjeçare, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të operacionit të koduar “BYE PASS”, kanë ndaluar 2 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni: R. A., 36 vjeç, banues në Durrës dhe A. Z., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.  Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë arrestuar shtetasen A. SH., 20 vjeçe, banuese në Burrel, pasi më datë 19.10.2020, në Fushë Krujë, duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, ka aksidentuar e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, shtetasin Z. D., 60 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili, si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë disa orë pasi u dërgua në spitalin e Traumës Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasin E. P., 31 vjeç, pasi ka fshehur, ka tjetërsuar dhe ka vënë në përdorim një aparat celular që i përkiste shtetases M. K., edhe pse kishte dijeni se një person i njohur ia kishte vjedhur kësaj shtetaseje.  Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. D., 38 vjeç, pasi në rrugën “Shefqet Musarai”, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta tezen e tij. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Xh., 47 vjeç, pasi në bulevardin “Gjergj Fishta”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe i ka kundërshtuar ata me dhunë, për të shmangur shoqërimin e tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: V. G., 38 vjeç dhe A. C., 31 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; M. M., 18 vjeçe, pasi në Kamzë, në rrugën “Donald Trump”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; K. N., 24 vjeç, pasi ditën e djeshme, në rrugën “3 Dëshmoret”, duke drejtuar mjetin motor pa lejen përkatëse, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen V. Z., 77 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë ekzekutimi i vendimit për shtetasin E. B., 40 vjeç (Operator i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike), pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”. Është ekzekutuar vendimi edhe për shtetaset I. D., 39 vjeçe dhe A. P., 32 vjeçe, me detyrë punonjëse dhe ish-punonjëse në Sektorin e Prokurimit tek OSHEE, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”. Gjithashtu u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetases A. F., me detyrë ish-drejtore e Divizionit Tregtar tek Shoqëria “OSHEE”, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Tiranë/ Informacione paraprake: Më datë 20.10.2020, ora 23:20, në rrugën “Marko Bocari”, në banesë, shtetasi italian R. S., 47 vjeç, ka goditur me sende të forta bashkëjetuesen e tij, shtetasen zvicerane Xh. O., 38 vjeçe, e cila u dërgua për ndihmë mjekësore në spital. Shtetasi R. S. u shoqërua në Komisariatin e Policisë Nr. 2, për veprime të mëtejshme. -Më datë 21.10.2020, rreth orës  02:30, në Rrugën e Dërrasave, në banesë, pas një konflikti të çastit, shtetasi A. D. ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë) babanë e tij. Shtetasi A. D. u shoqërua në Komisariatin e Policisë Nr. 3, për veprime të mëtejshme.

Kukës-Më datë 20.10.2020, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasin A.O., 54 vjeç, banues në Kukës, i dyshuar për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, ” Kanosja për shkak të detyrës” si dhe “Pushtimi i tokës” . Po punohet për kapjen e shtetasit
Abedin Oruçi.

Elbasan – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër, për vepra të ndryshme penale.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan kanë arrestuar në flagrancë shtetasin P. Z., 55 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas, më datë 19.10.2020, ka thyer xhamin dhe ka tentuar të vjedhë në lokalin në pronësi të shtetases H. B. Gjithashtu, pas verifikimeve, ky shtetas ka rezultuar person i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kavajë, për veprën penale “Vjedhja”.  Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin L. R., 54 vjeç, banues në Elbasan, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 doza me lëndë narkotike kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimor”, shtetasi: I. P., 53 vjeç, banues në fshatin Pajovë, Peqin, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën e tij u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme me artikuj të ndryshëm industrialë, pa dokumentacionin përkatës. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Policia e Shtetit – Vijon operacioni policor “Fati i lojërave”. Goditet një tjetër rast i zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Operacioni i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, Komisariatin e Policisë Kurbin dhe forcat speciale RENEA. Vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen 32 makineta, një sasi e konsiderueshme vlerash monetare dhe 3 kasaforta të mbyllura. Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produktit të veprës penale, Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat Policore të DVP Lezhë dhe ato të Komisariatit të Kurbinit, të mbështetura nga forcat speciale RENEA, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në disa lokale dhe ambiente në Kurbin, Milot dhe Lezhë. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në vijim të operacionit “Fati i lojërave”, në aksin rrugor Milot – Thumanë, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e marrë me qira nga shtetasi Gj. P. dhe që menaxhohej nga shtetasi A. K., kanë gjetur dhe sekuestruar 32 makineta që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit, 421.000 lekë të rinj, 3325 euro dhe tri kasaforta të mbyllura. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. P., 28 vjeç, banues në Mamurras dhe shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Thumanë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 62 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 3 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.