Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Hollandë, në partneritet me ambasadën hollandeze në Shqipëri, zhvilloi një cikël trajnimesh mbi të drejtat e njeriut, me drejtues të Policisë së Shtetit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Hollandë, në partneritet me ambasadën hollandeze në Shqipëri, zhvilloi një cikël trajnimesh mbi të drejtat e njeriut, me drejtues të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit, në përputhje me planin e përbashkët të punës, në bashkëpunim me Akademinë e Policisë, ambasadën hollandeze në Tiranë dhe Komitetin e Helsinkit në Hollandë, zhvilloi online trajnimin e avancuar të trajnerëve.

Qëllimi i këtij cikli trajnimesh është “Reagimi i Policisë ndaj krimeve me bazë urrejtjen dhe diskriminimin ndaj LGBTI”.

Në vijimësi, përfaqësues të ambasadës hollandeze në Shqipëri kanë vlerësuar bashkëpunimin me Policinë shqiptare, mbi të drejtat e komunitetit LGBTI, si dhe kanë shprehur një vlerësim maksimal për hartimin e manualit mbi të drejtat e komunitetit LGBTI si lëndë mësimore në Akademinë e Sigurisë dhe në Fakultetin e Hetimit.

Takimi online u realizua midis punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të organizatave që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI, përfaqësuesve nga ambasada hollandeze në Tiranë, të cilët ishin online në platformën Zoom Meeting, për të dhënë praktikat më të mira prej tyre, për krimet e urrejtjes në Shqipëri.

Një fokus i veçantë në takim u cilësua përgjegjëshmëria e autoriteteve ligjzbatuese në vend, për “Kundërshtimin e diskriminimit, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të personave lezbikë, homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë (LGBTI) në Shqipëri”.

Gjatë viteve të fundit, Policia e Shtetit ka bërë hapa të rëndësishëm në integrimin e tematikave të komunitetit LGBTI. Punonjësit e Policisë janë njohur me problematikat dhe nevojat e këtij komuniteti në Shqipëri. Hap i rëndësishëm është raportimi në strukturat e Policisë, i çdo rasti dhune apo diskriminimi nga ana e punonjësve të Policisë, për hetimin gjithëpërfshirës të rasteve të dhunës dhe krimet e urrejtjes.

Në sajë të këtyre takimeve dhe trajnimeve, po bashkëpunohet me të gjitha organizatat në vend, me qëllim ofrimin sa më të mirë të shërbimeve dhe ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë ndaj viktimave të dhunës apo diskriminimit të komunitetit LGBTI.

Këto takime online do të zhvillohen në vazhdimësi, në përputhje të plotë me «Planin Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI » 2016-2020, në Republikën e Shqipërisë.