Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vlerëson me Certifikatë “Për shërbime të dalluara” dhe me “Certifikatën e karrierës”, dy drejtues të lartë të Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Gjatë ceremonisë së organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke respektuar masat anticovid, Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Ardi Veliu i ka dorëzuar Certifikatën “Për shërbime të dalluara”, Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Albert Dervishaj, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në rritjen e standardeve të rendit dhe sigurisë publike, në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Ndërkohë, Drejtorit të Drejtorisë Për Migracionin ne Departamentin e Kufirit dhe Migracionit Drejtues i Parë Shaban Nexhi i ka dorëzuar “Certifikatën e karrierës”, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Në fjalën e rastit, Drejtor Veliu ka theksuar se dy drejtuesit e Policisë u vlerësuan për përkushtimin dhe rezultatet e arritura në punë gjatë karrierës së tyre. Vlerësime të tilla motivojnë dhe inkurajojnë gjithë efektivët për më shumë angazhim dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe në luftën ndaj krimit. Kjo traditë shumë e mirë ndër vite tregon edhe njëherë se ata që punojnë me ndershmëri e përkushtim vlerësohen dhe do jenë përherë të vlerësuar nga organizata ku bëjnë pjesë, por edhe nga komunitetit në përgjithësi.
Zv/Drejtori i Përgjithshëm Dervishaj dhe Drejtori i Migracionit Shaban Nexhi kanë falënderuar Drejtor Veliun për vlerësimin, kolegët e punës dhe miqtë që i kanë mbështetur ndër vite, duke theksuar faktin se do punojnë më me përkushtim për të përmbushur sa më mirë detyrën që ata kryejnë në interes të Policisë së Shtetit dhe në shërbim të qytetarëve.