Kukës – Transportonte 25 shtetas nga vendet e treta, kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin, arrestohet në flagrancë 37 vjeçari nga Policia.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës, kanë vijuar kontrollet në zbatim të planit të masava për parandalimin dhe goditjen e tentativave për dhënie ndihmë shtetasve nga vendet e treta, kundrejt fitimit, ku në kuadër të kontrolleve, u arrestua në flagrancë shtetasi F.D., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi u kap nga shërbimet e Policisë së Kukësit, në vendin e quajtur Lugina e Drinit, me automjetin tip “Ford, fugon”, me të cilin po transportonte 25 shtetas sirianë.

Shtetasi F.D, do t’i ndihmonte shtetasit sirianë, kundrejt fitimit, që të kalonin kufirin në drejtim të Kosovës, në mënyrë të paligjshme.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.