Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor i koduar “Hija”.

Operacioni nga Njësia për Hetimin e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Më datë 09.10.2020, nga “Njësia C – Hetimi i krimeve kibernetike“ në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u realizua operacioni policor i koduar “Hija”.

Pas një hetimi të shpejtë duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar dhe në kuadër të parandalimit të përshkallëzimit të situatës kriminale për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, si dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”, si rezultat i operacionit u ndalua shtetasi i huaj:

B. P., 45 vjeç (Për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera). Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprat penale të përmendura më lart.

Materiali hetimor i administruar nga “Njësia e hetimit të krimeve kibernetike“ kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas, nëpërmjet veprimeve të ndryshme, kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhimi në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celular të shtetasve të tjerë.

Pas këtij veprimi, ky shtetas siguronte kodin e verifikimit të aplikacionit në forma të ndryshme nga këta shtetas, duke vënë në funksionim aplikacionin në aparatet e tij kompjuterike.

Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

4 telefona celularë, një USB, 3 dokumente udhëtimi, 10 karta sim dhe dokumente të tjera të ndryshme.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat që mund të jenë të lidhur me këtë shtetas.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale