Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Kanioni”.
Sekuestrohen 176.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Vihen në pranga 6 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
Arrestohet kryeplaku i fshatit dhe një punonjëse e Policisë Bashkiake Durrës.
Shpallet në kërkim administratori i Njësisë Administrative Tërpan, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u zhvillua operacioni antidrogë i koduar “Kanioni”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. L., 43 vjeç dhe A. B., 29 vjeç, banues në Durrës, S. D., 32 vjeç, banues në Poliçan, F. B., 31 vjeç, banues në Poliçan dhe A. B., 25 vjeçe, banuese në Durrës, punonjëse policie në Bashkinë Durrës (vëlla dhe motër), si dhe F. L., 44 vjeç, banues në Çorrogjafë, Berat, kryeplaku i fshatit Çorrogjafë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi T. B., 14 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesën e shtetasit A. L. dhe ambientet e tjera përreth saj u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 176.5 kg lëndë narkotike kanabis.
Në vijim të veprimeve hetimore u shpall në kërkim shtetasi E. Z., banues në Tërpan, Berat, (administrator i Njësisë Tërpan), për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk ka kontrolluar territorin dhe nuk ka dhënë informacion për kultivimin e bimëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim detyre”.