Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Shkodër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Ndalohet një person i shpallur në kërkim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Nga forca e posaçme “Shqiponjat” e DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. Rr. 35 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, në datën 25.04.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Personi iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, për vepra penale të ndryshme. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: F. L., 22 vjeç, pasi në bashkëpunim me shtetasit S. S., 50 vjeç dhe A. H., 27 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim, në fshatin Kërkovë, Vlorë, ka goditur me sende të forta shtetasin I. L., 20 vjeç; M. D., 15 vjeç, pasi në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, dyshohet se ka vjedhur sende në pronësi të shtetases E. S. Gjatë kontrollit fizik shtetasit M. D. i është gjetur në xhep një dorezë metalike. Në vijim të kontrolleve u procedua penalisht shtetasi G. Th., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprimet e mëtejshme procedurale.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapet duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve  I. K., 24 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e policisë rrugore në lagjen nr. 3, Pogradec duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Fiat”, 5 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

DVP Fier – Vijon intensivisht puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Në Fier është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë. Sekuestrohet 4.4 kg lëndë narkotike canabis sativa. Në Lushnjë është arrestuar në flagrancë një shtetas dhe është shpallur në kërkim një tjetër, pasi nën kërcënimin e një mjeti prerës i kanë vjedhur një sasi lekësh një 18-vjeçari. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier kanë arrestuar në flagrancë shtetasin D. M., 20 vjeç, banues në Cakran, Fier, pasi në tokat e mara me qira nga ky shtetas, në fshatin Kreshpan, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë konstatuar të mbjella disa bimë narkotike cannabis sativa, si dhe kanë sekuestruar 4.4 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit Z. M., 47 vjeç dhe H. M., 63 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi nuk kanë kallëzuar për rastin e kultivimit të bimëve narkotike në afërsi me tokat e tyre. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin N. H., 23 vjeç, banues në Lushnjë, si edhe shpallën në kërkim e po punohet për kapjen e shtetasit A. P., 28 vjeç, banues në Lushnjë. Të dy këta shtetas, në lulishten e qytetit, nën kërcënimin e një mjeti prerës (biçak), i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, i kanë marrë një sasi lekësh shtetasit L. Ç., 18 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Forca e posaçme “Shigjetat” godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohet lëndë narkotike kanabis, 1 automjet dhe 3 telefona celular. Vihen në pranga 3 shtetas. Në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, evidentimin dhe prangosjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike, nga forca e posaçme “Shigjetat” u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. D., 20 vjeç, E. Ç., 25 vjeç dhe R. H., 24 vjeç, të tre banues në Tiranë. Pas mbajtjes në vëzhgim të këtyre shtetasve dhe mbi bazën e dyshimit se në çantën që mbante shtetasi E. D., i shoqëruar nga shtetasi E. Ç., kishte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje për të ndaluar, por këta shtetas nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe kanë tentuar të largohen me një mjet tip “Volkswagen” me drejtues R. H., por janë kapur dhe ndaluar nga forca e posaçme “Shigjetat”. Gjatë kontrollit fizik të tyre dhe kontrollit në automjet, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 88 doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. D., E. Ç. dhe R. H. dhe materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 195 shtetas, nga këta: 57 janë të arrestuar, 10 janë ndaluar dhe 128 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 26 raste, në të gjithë territorin, me 18 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 22 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 23 raste, 5 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 18 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, me dy autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 33 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 15 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 18 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 12 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.