Tiranë – Arrestohen në flagrancë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Arrestohen në flagrancë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 24 vjeç, pasi në rrugën “Fran Bardhi”, gjatë kontrollit fizik iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. N., 24 vjeç, sepse në afërsi të fshatit Shupalë, ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të mitur me iniciale A. Th., 16 vjeç dhe M. K., 17 vjeç, pasi në Kamzë, në lagjen Nr. 5, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje në marketin e shtetasit S. K., ku kanë marrë një shumë parash dhe disa paketa cigaresh.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë I shtetasit F. H., 44 vjeç, pasi në rrugën “Sadik Stavaleci”, Babrru, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj 3 vajzave të tij. Gjithashtu, ky shtetas ka shkelur vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për vajzat e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh. C., 44 vjeç, pasi në fshatin Pezë Helmës, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, së cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. B., 32 vjeç dhe S. B., 19 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse.

U referuan materialet dhe punohet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim J. C., 26 vjeç, sepse në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dashurës së tij, si dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.