Policia e Shtetit
Nis faza e parë, ajo e testimit me shkrim për “Patrullë të Përgjithshme”
Mëngjesin e sotëm, në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Për rregullat e konkurrimit për pranimin në Akademinë e Sigurisë, për Shkollën Bazë të Policisë për Patrullë të Përgjithshme”, në ambientet e Pallatit të Kongreseve nisi faza e parë e konkurrimit, e cila do zhvillohet gjatë tre ditëve, 16-18 shtator, paradite dhe pasdite, duke respektuar masat anticovid.
Paraditen e sotme morën pjesë në testim aplikantët e Tiranës, duke filluar nga numri kodik 0001 deri në 0350, ndërsa pasdite pjesa tjetër e aplikantëve të qarkut Tiranë duke filluar nga numri kodik 0351 deri në 0458 dhe të gjithë aplikantët e qarkut Korçë.
Më datë 17 shtator paradite do marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Berat, Gjirokastër dhe Shkodër, ndërsa pasdite të gjithë aplikantët e qarqeve Fier, Lezhë e Kukës.
Më datë 18 shtator paradite do të marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Vlorë dhe Elbasan, ndërsa pasdite do të marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Durrës e Dibër.
Aplikantët që do t’i nënshtrohen testimit me shkrim, paraditen e çdo dite konkurrimi, duhet të paraqiten sipas grafikut të konkurrimit, në orën 07:30 në Pallatin e Kongreseve, ndërsa ata të pasdites duhet të paraqiten në orën 14:00 në Pallatin e Kongreseve.
Aplikantët duhet të kenë me vete fletën e regjistrimit të lëshuar nga DVP-ja ku kanë aplikuar, kartën e identitetit, si dhe maskën mbrojtëse, pa të cilën nuk do të lejohen të hyjnë në testim.
Aplikantët, në momentin që futen në sallën e konkurrimit, nuk duhet të kenë me vete celular dhe u ndalohet komunikimi me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të testimit.
Të dyja fazat e testimit gjatë tre ditëve do monitorohen me kamera, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.