Tiranë – Vihet në pranga autori i vrasjes me armë zjarri të 34-vjeçares në Kamzë, Tiranë

Vihet në pranga autori i vrasjes me armë zjarri të 34-vjeçares në Kamzë, Tiranë.

Sekuestrohet arma e zjarrit pushkë me të cilën autori kreu vrasjen.

Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, përdorjes së metodave speciale të hetimit dhe pamundësisë së fshehjes më gjatë autori i dyshuar i vrasjes ka rënë në prangat e shërbimeve të policisë së Lushnjës dhe të DVP Tiranë, pasi ishte i rrethuar pa asnjë mundësi largimi apo fshehjeje të mëtejshëme.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për një ngjarje të ndodhur për shkak të marrëdhënieve familjare në orët e mbrëmjes të ditës së djeshme në Bathore, Kamzë, ku mbeti e vrarë me armë zjarri shtetasja J. H, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.5, Kamëz kanë ushtruar kontrolle të pandërprera si dhe kanë përdorur metodat proaktive për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit.

Si rezultat i trysnisë së ushtruar nga ana e Policisë duke kryer kontrolle të shtuara e të pandërprera në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura, informacioneve të grumbulluara, bashkëpunimit me familjarët, bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Lushnje dhe falë metodave proaktive mëngjezin e sotëm u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit , i cili fshihej në një lagje në Lushnje.

Pas disa orë kërkimesh, para pak minutash autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi A. T., 31 vjeç, u vu në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe të DVP Tiranë që e kishin mbajtur të rrethuar zonën ku ishte lokalizuar vendndodhja e tij.

Ky shtetas si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri ish–kunatën e tij, shtetasen J. H., 34 vjeçe.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeve.