Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 shtator 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit algjerian T. T., 22 vjeç (endacak), pasi në rrugën “Ibrahim Rrugova”, në lokalin në pronësi të shtetasit S. H. ka prishur qetësinë publike dhe ka kanosur me një mjet prerës (thikë) pronarin e lokalit, shtetasin S. H. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. B., 55 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve G. F., 28 vjeçe dhe I. E., 47 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Y. T., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lagjen nr. 17, Durrës, ka kryer veprime të turpshme në rrugë.

Skrapar – Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Goditet një rast i kultivimit, prodhimit dhe shitjes të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Rehova”. Sekuestrohen 16 kg lëndë narkotike e tharë dhe e përpunuar si dhe 60 bimë narkotike cannabis sativa. Vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të një hetimi dymujor të ndjekur me metoda speciale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, u zhvillua operacioni antidrogë i koduar “Rehova”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit V. H., 35 vjeç dhe S. B., 31 vjeç, të dy banues në Rehovë, Skrapar. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit V. H., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kg lëndë narkotike cannabis sativa e përpunuar. Gjithashtu këta shtetas ishin shpallur në kërkim policor, pasi dyshohet të jenë autorë të kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa të gjetura më parë në afërsi të banesave të tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 102 shtetas, konkretisht: 26 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 73 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, 6 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 1 rast i “Kanosja”, ku autori është arrestuar në flagrancë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”, në Tiranë, ku po punohet për kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 12 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Elbasan, 3 në Kukës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korcë, me 2  autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Lezhë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”,  në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve, 2 në Berat dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 11 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 4 në Elbasan, 4 në Lezhë dhe 2 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.