Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tropojë – Arrestohet në flagrancë një shtetas, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”. Procedohet penalisht dhe një doganier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Specialistët e Seksionit për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë i shtetasin I. A., 54 vjeç, banues në Shishman, Kosovë. Arrestimi i tij u bë pasi, në vendin e quajtur “Sopot”, gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në mjetin e tij tip furgon u konstatuan 100 m² laminat, për të cilat nuk dispononte asnjë faturë për vendin e origjinës së tyre. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V. N., 41 vjeç, banues në Tropojë, me detyrë doganier në doganën Qafë Morinë-Tropojë, pasi ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer veprimet doganore ndaj drejtuesit të mjetit të lartpërmendur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Has – Ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, arrestohet nga Policia. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan shtetasin M. L. 34 vjeç, banues në fshatin Nikoliq, Has. Arrestimi i tij u bë pasi bashkëshortja, shtetasja M. L., 30 vjeçe, ka bërë kallëzim se ai ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Memaliaj – Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe dyshohet se ka djegur një sipërfaqeje pylli, ndalohet 60-vjeçari. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj kanë ndaluar shtetasin M. Sh., 60 vjeç, banues në fshatin Vasjar, Memaliaj. Ndalimi i këtij tij u bë pasi dyshohet se në datën 09.09.2020 i ka vënë zjarrin një sipërfaqeje pylli dhe si pasojë janë djegur edhe disa ullinj të banorëve të fshatit Vasjar. Gjithashtu, ky shtetas ka dalë nga banesa, duke kryer veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila i ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për banorët e qarkut Gjirokastër të tregojnë kujdes dhe të mos tentojnë të vënë zjarr në pyje e kullota, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 129 apo në Komisariatin Dixhital, çdo tentativë të zjarrvënies dhe çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.
Dibër – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit A. D., 25 vjeç, banues në Selishtë, Dibër, ish-drejtor në shkollën 9-vjeçare Selishtë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim i detyrës”; B. D., 39 vjeçe, banuese në Peshkopi, Dibër, me detyrë drejtore në Zyrën Vendore Arsimore Peshkopi, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”. Procedimi penal ndaj shtetasve të lartpërmendur ka filluar pasi nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasja B. D. ka paguar shtetasin A. D., gjatë periudhës që ai nuk ka qenë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas verifikimeve të kryera shtetasi A. D. është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë në vitin 2019 dhe ka përfituar paga në mënyrë të padrejtë. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Berat – Mbante armë zjarri pa leje në banesë dhe qarkullonte me mjet pa leje drejtimi, arrestohet në flagrancë nga Policia. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. S., 17 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori”, Ura Vajgurore. Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas mbante armë zjarri pa leje, kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, ku kanë gjetur një armë zjarri automatik, e cila u bllokua në cilësinë e provës materiale. Pas kontrollit të ushtruar në banesë, shërbimet e Policisë e kanë konstatuar këtë shtetas duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, në aksin rrugor Ura Vajgurore-Berat. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Fier – Operacion për goditjen e një grupi që shpërndante lëndë narkotike në doza. Policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Apollonia”. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike dhe municion luftarak. Bien në pranga 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një pune hetimore, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Apollonia”, si rezultat i të cilit u godit një grup që shpërndante lëndë narkotike në doza, në qytetin e Fierit. Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. M., 23 vjeç, banues në Fier dhe O. L., 17 vjeç, banues në Fier. Këta shtetas u kapën në flagrancë duke shitur lëndë narkotike, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në lagjen “Apollonia”. Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit personal dhe nga kontrolli i ushtruar në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 doza me lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe fishekë pistolete. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.
Durrës – Arrestohet një 48-vjeçar, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 48 vjeç, banues në Durrës, pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur 15 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Në kuadër të këtij operacioni goditen tre raste të tjera në fushën e dhënie ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Vihet në pranga një shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë, të cilët po transportonin 20 emigrantë të paligjshëm. Dy personat e shpallur në kërkim, gjatë ndjekjes nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur tre raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. G., 46 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, i cili u kap nga punonjësit e Policisë Rrugore, në aksin Korçë-Pogradec, në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, duke transportuar me mjetin furgon tip “Volkswagen”, në drejtim të Tiranës, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjithashtu filloi procedimi penal dhe po punohet intensivisht për kapjen e shtetasve A. K., 25 vjeç dhe A. Th., 49 vjeç, të dy banues në Durrës. Shërbimet e Policisë Rrugore, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, janë vënë në ndjekje të dy automjeteve, respektivisht fuoristradë tip “Benz” dhe mjetit furgon tip “Ford Transit”, me drejtues shtetasit e lartpërmendur, të cilët nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve për të ndaluar dhe kanë braktisur mjetet e tyre në afërsi të fshatit Hudënisht, Pogradec, me 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 65 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, 4 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 15 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier dhe 1 në Gjirokastër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 4 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, 5 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Shkodër, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 20 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste: 1 në Tiranë, 1 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 11 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Korcë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Shkodër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i prerjes së pyjeve, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i kundërshtimit të punonjësit të policisë, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, në Tiranë.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.