Dibër – Prezantohet forca e posaçme “Shqiponjat” e DVP Dibër

Fjala e Drejtorit të Departamentit gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër

I nderuar z. Ministër Lleshaj,
I nderuar prefekt i qarkut,
I nderuar kryetar i qarkut,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor dhe drejtues të insitucioneve,
Të nderuar drejtues e kolegë të DVP Dibër dhe të Policisë Kufitare,

Të punosh për sigurinë e jetës dhe për krijimin e një ambienti shoqëror sa më të sigurt është shërbimi më i mirë që i bën qytetarëve dhe vendit tënd, pasi siguria është faktori kyç për zhvillimin shoqëror të vendit dhe Policia është aktori kryesor për të prodhuar rend e siguri.

Një Polici e vogël në numër, pa bazë logjistikë të nevojshme, pa automjete në dispozicion dhe e patrajnuar, si dhe pa mbështetjen e qytetarëve, të qeverisë dhe ligjvënësve, nuk mund ta realizojë dot më së miri misionin e saj në funksion të garantimit të rendit e sigurisë dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.

Arsyeja që sot jemi këtu e po zhvillojmë takime në të gjitha qarqet është për të prezantuar te qytetarët, forcën e re të posaçme “Shqiponja”, e cila u bë realitet vetëm pas mbështetjes shumë të rëndësishme të Qeverisë dhe kujdesit të veçantë të Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Brendshëm, pasi Policisë së Shtetit, në një ditë iu shtuan mbi 500 funksione organike, duke na dhënë mundësinë të mos vazhdonim më me eksperimente, por të krijonim dhe prezantonim në publik këtë forcë të re, shpresë dhe garanci më shumë për sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Mbështetja e Qeverisë gjatë viteve të fundit ka qenë e vazhdueshme dhe shumë e rëndësishme, pasi Policia e Shtetit është përfshirë në një proces të gjatë të rinovimit të moshës. Vetëm gjatë viteve të fundit janë mbi 1700 të reja e të rinj që i janë bashkuar Policisë së Shtetit, si dhe janë bërë hapa cilësorë përsa i përket pajisjeve logjistike dhe mjeteve bashkëkohore në dispozicion për të përmbushur me sukses misionin e saj. Vlen të theksohet se tashmë kemi rinovuar mbi 30 % të flotës së automjeteve në dispozicion të Policisë së Shtetit.

Tashmë, në të gjithë vendin kemi Patrulla të Përgjithshme dhe të Policisë Rrugore, Polici Kriminale dhe së fundi “Shqiponjat”, që janë të mirëpajisura me logjistikë, me mjete dhe me uniforma të reja. Gjithashtu nuk mund të lë pa përmendur edhe Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat tashmë janë kompletuar jo vetëm me mjete të reja, por edhe me ambiente bashkëkohore, sipas misionit që kanë.

I përmenda të gjitha këto për të garantuar qytetarët se strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin, jetën dhe pronën dhe për t’u përballur e luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi.

Të nderuar kolegë të Drejtorisë Vendore të Qarkut Dibër dhe të Komisariatit të Policisë Kufitare Dibër,

Ndihem mirë sot që jam para jush si drejtues kryesor i rendit e sigurisë, pasi qarku juaj është ndër qarqet e paktë në të cilin për periudhën 8-mujore të këtij viti nuk ka patur asnjë vrasje dhe kjo falë edhe angazhimit e përkushtimit të gjithë strukturave policore që operojnë në qarkun Dibër.

Qarku Dibër në tërësi është një qark i mirëmenaxhuar nga strukturat e Policisë në DVP dhe Komisariate apo stacione policore, duke bërë që qytetarët e këtij qarku të ndihen më të sigurt në jetën e përditshme.

Reagimi në kohë dhe me profesionalizëm, puna e përbashkët hetimore e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë që të goditet një grup kriminal, të parandalohen dhe të goditen tentativat për kultivim të kanabisit, të kapen një numër i madh personash në kërkim, të mos ketë asnjë ngjarje të rëndë kriminale me pasoja në jetën e njërëzve, si dhe të shënohen parametra të lartë të sigurisë rrugore.

Të gjitha këto rezultate të kënaqshme janë arritur edhe falë bashkëpunimit me qytetarët, falë të cilit janë parandaluar në kohë konflikte që mund të sillnin pasoja të rënda për jetën e personave të përfshirë në konflikte.

Të nderuar kolegë,

Përballimi me sukses i ngarkesës së madhe, qoftë për parandalimin e kultivimit të kanabisit, të pandemisë COVID-19, të sezonit turistik dhe të parandalimit e goditjes së krimeve ndërkufitare meriton vlerësim, ndaj unë, në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ju përgëzoj dhe ju falënderoj.

Një falënderim të veçantë për qytetarët e këtij qarku, për mbështetjen dhe besimin e dhënë, duke i ftuar që të vijojnë t’i mbështesin strukturat e Policisë dhe të bashkëpunojnë në interes të rendit e sigurisë.

Jam i bindur që edhe forca e posçame “Shqiponjat” që sot prezantojmë është një shpresë për më shumë siguri për qytetarët dhe do ndikojë në forcimin e rritjen e besimit reciprok.

Suksese dhe punë të mbarë!