Fjala e Drejtorit të Departamentit të Sigurisë Drejtues i Lartë Gjovalin Loka gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës
I nderuar z. ministër Lleshaj,
I nderuar prefekt i qarkut,
Të nderuar kryetarë të bashkive
I nderuar kryetar i qarkut,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar drejtues dhe kolegë të Drejtorisë Vendore dhe asaj të Kufirit Kukës,
Sot jemi në takimin e radhës për të prezantuar forcën e posaçme “Shqiponjat” të qarkut Kukës, por jo në takime për të kaluar radhën, por për të përcjellë mesazhe sigurie për qytetarët e Kukësit dhe gjithë Shqipërisë se strukturat e Policisë së Shtetit janë të përfshira në një proces të gjerë transformimi e rinovimi, duke bërë që qytetarët të shikojnë një Polici më të re në moshë, të miruniformuar dhe të kompletuar me logjistikë e mjete bashkëkohore të domosdoshme për të kryer detyrën, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me rendin dhe sigurinë e jetës e pronës së qytetarëve.
Qarku Kukës renditet në qarqet me parametra të qëndrueshëm të rendit e sigurisë dhe kjo falë përkushtimit dhe profesionalizmit të strukturave policore që operojnë në këtë qark. Ka një ulje të ndjeshme të kriminalitetit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një kontroll më të mirë dhe të plotë të territorit, rritje të forcës zbuluese dhe goditëse, çka tregon se është bërë një punë e mirë parandaluese, patrullim më i mirë në kufirin e gjelbër, si dhe një shërbim gjithnjë e më cilësor në pikën e kalimit të Morinës.
Por misioni jonë mbetet i cunguar në rast se mungon bashkëpunimi me qytetarët, pushtetin vendor dhe institucionet, bashkëpunim që është shumë i domosdoshëm dhe dobiprurës në punën tonë.
Në këtë aspekt, edhe në qarkun Kukës nuk ka munguar bashkëpunimi dhe besimi i qytetarëve dhe i institucioneve , pushtetit vendor dhe i prefektit të qarkut.
Janë shumë operacione policie të zhvilluara këto muaj falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë, për goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, parandalimin e krimeve kundër personit etj.
Vlen për t’u theksuar solidarizimi i qytetarëve në mbështetje të efektivëve të Policisë, për t’iu ardhur në ndihme turistë të huaj, të cilët jo në pak raste kanë humbur rrugën dhe kanë mbetur në zona të izoluara, por falë ndihmës së banorëve dhe përkushtimit të Policisë ata janë kthyer në destinacionet e tyre pa probleme për shëndetin dhe jetën.
Ndaj prezantimi i kësaj force të re është një element sigurie më shumë dhe një faktor nxitës për rritjen e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Shtetit.
Falë mbështetjes së qeverisë, e cila mundësoi shtimin e organikës me 500 efektivë, sot në Kukës dhe në të gjithë DVP-të kemi një forcë të posaçme “Shqiponjat” dhe jo më një skuadër.
Gjithashtu, me mbështetjen e qeverisë kemi rinovuar me 30 % edhe flotën e automjeteve të Policisë, duke marrë dhe vënë në dispozicion të shërbimeve të Policisë mjete bashkëkohore.
Të nderuar kolegë,
Jeni të vetëdijshëm që përpara keni vështirësi dhe sfida për t’u përballur, por mos harroni se në rast se do shërbeni me dinjitet, t’i ofroni qytetarëve një shërbim sa më cilësor, të shpalosni performancë më dinjitoze dhe reagim më të shpejtë e ligjor ndaj shkelësve të ligjit, sfidat tuaja do jenë më të lehta për t’u përballuar, pasi do keni mburojë dhe mbështetje besimin e qytetarëve.
Mos harroni se jeni shërbëtorë të ligjit dhe qytetarëve, ndaj mos e shpërdoroni dhe mos e vrisni mbështetjen dhe besimin e qytetarëve, dhe kurrë mos e shkelni ligjin.
Mbetem besimplotë se rinovimi i moshës së Policisë nga viti në vit, krijimi i strukturave që janë bindëse për sigurinë, do sjellë përmirësim të performacës dhe rritje të cilësisë së shërbimit dhe rritje të besimit të qytetarëve të Policia.
Duke përfunduar në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dua të përgëzoj dhe falënderoj të gjithë strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe ato të Kufirit dhe Migracionit Kukës, për angazhimin, profesionalizmin, përballimin e ngarkesës së punës dhe përmbushjen e detyrave për parandalimin e kultivimit të kanabisit, në monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në përballimin e sezonit turistik, në përballimin e fluksit të lartë në hyrje të qytetarëve kryesisht kosovarë në Morinë dhe mbi të gjitha në parandalimin e ngjarjeve kriminale duke bërë që qarku Kukës të ruajë parametrat normalë të sigurisë.
Përfitoj nga rasti që të falënderoj përzemërsisht qytetarët dhe t’i ftoj sërish që të mbështesin më shumë Policinë dhe të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, se vetëm bashkërisht ndërtojmë një ambient të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Faleminderit dhe suksese të gjithëve!