Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 shtator 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Bie në pranga 45-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndën narkotike. Sekuestrohen 12 doza me lëndë narkotike heroinë, 3 aparate celular dhe para të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, si dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës kanë ndaluar për kontroll në lagjen nr. 8, Durrës, shtetasin G. T., i cili në momentin që konstatoi Policinë tentoi të largohej, por u kap dhe u shoqërua në Komisariatin e Policisë Durrës. Në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi G. T., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe 3 aparate celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

DVP Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin L. K., 46 vjeç, banues në Krastë, Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Ndërtim pa leje”, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin R. H., 39 vjeç, banues në Kameras, Fushë Krujë. Procedimi penal në ngarkim të këtyre shtetasve ka filluar pasi më datë 07.09.2020, në Krastë, Fushë Krujë, ndërsa po kryheshin punime ndërtimi pa leje në banesën e shtetasit L. K., nga një firmë ndërtimi me administrator shtetasin R. H., aksidentalisht është rrëzuar nga skela punëtori shtetasi E. G., 28 vjeç, banues në Krujë, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit G. P., 19 vjeç dhe E. P., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 07.09.2020, duke udhëtuar në drejtim të qytetit të Krujës, këta shtetas, kur janë ndaluar nga postblloku i Policisë Rrugore për shkak të një parakalimi të gabuar, kanë kundërshtuar për shkak të detyrës shërbimet e Policisë dhe kanë thyer pasqyrat e mjetit të Policisë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan një flagrancë shtetasin G. V., 30 vjeç, si dhe proceduan  në gjendje të lirë shtetasi H. V., (babai i shtetasit G. V.), banues në Durrës, pasi në banesë kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së shtetasit G. V.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Krujë dhe Durrës, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një tjetër rast në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Transportonte 8 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. R., 40 vjeç, banues në Laprakë, Tiranë. Shtetasi i mësipërm u kap në lagjen nr. 3, Pogradec, nga punonjësit e Policisë Rrugore, duke transportuar me mjetin tip “Mazda”, në drejtim të Tiranës, 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Vlorë – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Vlorë dhe Komisariati i Policisë Vlorë, operacioni policor i koduar “Llakatundi”. Sekuestrohen dy armë zjarri kallashnikov, si dhe asgjësohen fidanë të dyshuar narkotikë. Vihen në pranga 2 shtetas, posedues të armëve të zjarrit dhe autorë të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë ka finalizuar operacionin e koduar “Llakatundi”, në kuadër të të cilit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve H. T., 40 vjeç dhe A. B., 50 vjeç, të dy me banim në fshatin Llakatund, Vlorë. Si rezultat i këtij operacioni, Policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilat ishin kultivuar në pronën e këtyre shtetasve, në fshatin Llakatund. Po gjatë operacionit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, të cilat dyshohet se i posedonin këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme hetimore.

Fier – Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Goditet një rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe një rast i tentativës së kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Shtegtimi”. Sekuestrohen 65 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe bimë narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier u zhvillua operacioni antidrogë i koduar “Shtegtimi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi N. Ç., 28 vjeç, banues në Bulqizë. Po në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit B. O., 45 vjeç, banues në Bulqizë. Gjatë kontrollit në kushtet e flagrancës në fshatin Savër, Lushnjë, në një ambient të marrë me qira nga këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 65 kg cannabis sativa. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u ndalua shtetasi E. V., 49 vjeç, banues në Fermë Çlirim, pasi është autori i dyshuar i tentativës së kultivimit të disa bimëve narkotike në fshatin Fermë Çlirim, Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Bulqizë – Theu lejen e “Qëndrimit të përkohshëm në shtëpi”, kapet dhe vihet në pranga nga Policia 26-vjeçari. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Nr. 4 Tiranë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Elidon Alla, 26 vjeç, banues në Bulqizë, i dënuar më parë për vjedhje. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë Bulqizë, ky shtetas nuk është gjetur në banesë, duke shkelur kështu Aktin Normativ “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”, pasi për  këtë shtetas ishte miratuar leja e veçantë “Qëndrim i përkohshëm në shtëpi”, për periudhën kohore 4 prill-1 korrik 2020. Pas mbarimit të lejes së përkohshme, ky shtetas ishte larguar nga banesa e babait të tij në Bulqizë dhe fshihej në Tiranë, duke mos u kthyer në vendin e vuajtjes së dënimit sipas afateve të lejes së përkohshme, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 vite e 4 muaj e burg, për veprën penale “Vjedhja”. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e këtij shtetasi, u organizuan shërbimet dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i tij. Materialet i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste: 1 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Shkodër dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Lezhë , ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 3 në Lezhë dhe 1 në Elbasan.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.