Fier – Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve

Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Goditet një rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe një rast i tentativës së kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “Shtegtimi”.

Sekuestrohen 65 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe bimë narkotike.

Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier u zhvillua operacioni antidrogë i koduar “Shtegtimi”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

N. Ç., 28 vjeç, banues në Bulqizë.

Po në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit B. O., 45 vjeç, banues në Bulqizë.

Gjatë kontrollit në kushtet e flagrancës në fshatin Savër, Lushnjë, në një ambient të marrë me qira nga këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 65 kg cannabis sativa.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u ndalua shtetasi E. V., 49 vjeç, banues në Fermë Çlirim, pasi është autori i dyshuar i tentativës së kultivimit të disa bimëve narkotike në fshatin Fermë Çlirim, Fier.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.