Lezhë – Policia Rrugore ka proceduar penalisht 22 drejtues mjetesh dhe ka pezulluar 40 leje drejtimi

Policia Rrugore e Lezhës, në zbatim të planit të masave për rritjen e sigurisë rrugore, ka shtuar grupet e kontrollit për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë automjetet në mënyrë të parregullt.

Gjatë fundjavës janë proceduar penalisht 22 shtetas, konkretisht 14 shtetas janë arrestuar dhe 8 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

Janë tërhequr 40 leje drejtimi, janë vendosur 418 masa administrative, 183 për tejkalim shpejtësie dhe 235 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, si dhe janë kontrolluar 187 automjete.

Po gjatë këtyre kontrolleve janë shoqëruar për verifikim në Komisariatet e Policisë Kurbin dhe Lezhë, 18 shtetas.

Janë arrestuar nga Policia shtetasit:

•L. P., H. B., K. G., P. K., G. P., Gj. D., M. M., A. M., P. C., Ç. T., Gj. M., Gj. Z., B. N., E. Gj., banues në Lezhë, Kurbin dhe Shkodër.

Arrestimi i tyre u bë pasi në akset rrugore Lezhë-Milot, Lezhë-Shkodër, qytet Lezhë-qytet Laç, u kapën nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar mjetet e tyre, të papajisur me leje drejtimi.

Gjithashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës, 8 drejtues mjetesh.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Policia Rrugore e DVP Lezhë është e vendosur për të ndëshkuar cilindo shkelës të Kodit Rrugor, i cili duke mos respektuar rregullat e qarkullimit rrugor kthehet në burim aksidenti për veten e tij dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Kontrolle të tilla do të vijojnë në të gjitha akset rrugore, me qëllimin e vetëm, atë të rritjes së parametrave të sigurisë në rrugë.