Shkodër – Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e tentativës për trafikim ndërkombëtar të 53 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga shitësi i lëndës narkotike, shtetasit italian i cili u arrestua 5 ditë më parë në pikën e kalimit kufitar Muriqan Shkodër në tentativë për të trafikuar drejt Italisë lëndën narkotike.

Në vijim të punës për dokumentimin ligjor të tentativës për trafikim të 53 kg lëndë narkotike në drejtim të Italisë, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i kësaj ngjarjeje.

Pas një pune të mirëorganizuar, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. L., 36 vjeç, banues në Lagjen Nr.2, Kavajë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas i kishte shitur lëndën narkotike shtetasit italian C. T., disa ditë më parë, që tentoi ta trafikonte në drejtim të Italisë, i cili u arrestua nga Policia Kufitare e Muriqanit, Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”.