Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Dibër – Drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe goditi një automjet tjetër, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari. Arrestohet dhe një tjetër drejtues mjeti, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Nga shërbimet e Policisë Rrugore në DVP Dibër u arrestua në flagrancë shtetasi N. M., 36 vjeç, banues në Dibër, pasi në qytetin e Peshkopisë, duke drejtuar automjetin e tij, në gjendje të dehur ne masën 0.82 mg/l, ka goditur një automjet tjetër dhe për pasojë është lënduar lehtë drejtuesi i mjetit. Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi P. N., 29 vjeç, banues në Laç, pasi në vendin e quajtur ‘Ura e Matit’, duke drejtuar automjetin tip furgon, ka humbur kontrollin dhe për pasojë janë dëmtuar lehtë dy pasagjerë që ndodheshin në mjet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Kukës – Vijojnë kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, në zbatim të planit të përbashkët të masave mes DVP Kukës e Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për dhënie ndihmë shtetasve nga vendet e treta, kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Në kuadër të kontrolleve evidentohet dhe arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kundrejt fitimit. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin T. H., 68 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në afërsi të PKK Morinë, me automjetin tip “Benz”, me të cilin po transportonte 4 shtetas sirianë. Shtetasi T. H., do t’i ndihmonte shtetasit sirianë, kundrejt fitimit, që të kalonin kufirin në drejtim të Kosovës, në mënyrë të paligjshme. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Elbasan – Goditet një tjetër rast në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shtetasve të huaj nga vende të treta, kundrejt fitimit. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, operacioni policor “Mesnata”. Gjatë operacionit është vënë në pranga nga Policia një 35-vjeçar, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë për t’u larguar ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit, duke rrezikuar jetën e 10 personave që transportonte. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetasve nga vendet e treta, të cilët hyjnë në vendin tonë ilegalisht nëpërmjet kufirit me shtetin grek, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mesnata”. Në aksin rrugor Cërrik-Belsh, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin M. B., 35 vjeç, banues në Durrës, duke transportuar drejt Tiranës, kundrejt fitimit 450 euro për person, 10 shtetas sirianë, të cilët i kishte marrë në qytetin e Korçës. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë e sipër për t’u larguar ka humbur kontrollin mbi mjetin duke rrezikuar jetën e shtetasve që transportonte. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. B., për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 19 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Gjirokastër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste: 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Dibër dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë , ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Gjirokastër”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Lezhë, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër.
Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 4 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Dibër dhe 1 në Gjirokastër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.