Vijojnë kontrollet në akset rrugore dhe në kufirin e gjelbër, në zbatim të planit të përbashkët të masave mes DVP Kukës e Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për dhënie ndihmë shtetasve nga vendet e treta, kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Në kuadër të kontrolleve evidentohet dhe arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kundrejt fitimit.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin T. H., 68 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në afërsi të PKK Morinë, me automjetin tip “Benz”, me të cilin po transportonte 4 shtetas sirianë.
Shtetasi T. H., do t’i ndihmonte shtetasit sirianë, kundrejt fitimit, që të kalonin kufirin në drejtim të Kosovës, në mënyrë të paligjshme.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.