Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 28 Gusht 2020

-Tiranë .Ndalohet një 37-vjeçar, për veprën penale “Vrasja”. 37-vjeçari i dënuar më pare për Dezertim nga sherbimi Ushtarak.

Sherbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, me marrjen e njoftimit se në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, në oborrin e banesës shtetasi D.L., 61 vjeç, ishte gjetur pa shenja jete, menjeherë kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune të mirorganizuar dhe hetimeve instensive bënë të mundur zbulimin e ngjarjes, dhe kapjen e autorit të dyshuar shtetasin F.D., 37 vjeç, banues në Tiranë.
37-vjeçari e ka pranuar autorsinë dhe është shprehur se për disa konflikte të meparshme, dyshohet për konflikte pronësie, me vetëpërgjegjësi ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar vdekjen shtetasit D.L. Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.

-Shkodër .Finalizohet operacioni policor i koduar “Itinerari”. Arrestohet një shtetas për “Dhënie ndihmë për kalim paligjshëm të kufirit”
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore Kufirit Migracionit Shkodër, pas një punë të mirëorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar, “Itinerari”, ku si rezultat u bë arrestimi i shtetasit : K. N. 26 vjeç, banues në lagjen Skënderbeg, Shkodër.
Arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, në vëndin e quajtur ‘Shtoj i Ri’, ky shtetas është kapur në flagrancë me mjetin tip Fiat, i cili po transportonte 5 shtetas të huaj të vëndeve të treta, Bangladeshi, drejt Malit të Zi, me destinacion final vendet e BE-së.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

-Vau i Dejës/Shkodër . Policia e Shkodrës ka ndëshkuar me 3.000.000 lekë gjobë, pronarin e një restoranti pasi u konstatua duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar një restorant në të cilin ishte organizuar një ceremoni festive në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.
Shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të subjektit, shtetases A. Z. masën administrative 3.000.000 lekë si dhe pezullimin e ushtrimit të aktivitetit për një periudhë 6 muaj.
Policia e Shkodrës apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

-Berat .Nga Specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K.B, 31 vjeç, banues në lagjen Uznovë, Berat, me detyrë Inxhinier pyjesh.
Arrestimi i tij u bë pasi nuk ka marrë masat e mbrojtjes në punë për puntorët si dhe nuk ka qënë prezent gjatë punës ku u rrëzua punonjësi i Drejtorisë së Bujqësisë pranë Bashkisë Berat, i cili ndërrojë jetë.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal.

-Krujë .Procedohet penalisht pronari i një lokali për mosbindje ndaj urdhrit të policisë, pasi ishte ndëshkuar me masë administrative 3 herë nga shërbimet e Policisë Krujë dhe mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, por gjatë kontrollit u konstatua përsëri duke ushtruar aktivitet në lokalin që kishte në pronësi.
Gjithashtu ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, për të 3-tën herë, pronari i një subjekti në Fushë Krujë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, proceduan penalisht shtetasin B.M., 32 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi ky shtetas si administrator i një subjekti në Fushë Krujë, i cili ishte ndëshkuar 3 herë me masë administrative me nga 1.000.000 lekë si dhe me mbyllje të aktivitetit për një periudhë 6-mujore, u konstatua përsëri nga shërbimet e Policisë duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Krujë, për veprime të mëtejshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, evidentuan në Fushë Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit L.C, i cili u konstatua duke ushtruar aktivitet në mënyrë me Aktin Normativ. Për këtë subjekt, është vendosur për të 3-tën herë, masë administrative 1.000.000 lekë. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

-Korçë . Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Pikturat”. Operacioni i zhvilluar, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave dhe bizneseve.
Arrestohet në flagrancë një 33-vjeçar, si autor i dyshuar i 17 vjedhjeve të ndodhura në qytet. Sekuestrohen piktura me vlerë dhe sende të tjera të vjedhura. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve të ndodhura tre muajt e fundit në qytetin e Korçës, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, në bazë edhe të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pikturat”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
• E. B., 33 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për vjedhje).
Shtetasi i mësipërm, ka qenë nën ndjekjen dhe monitorimin e Policisë kur u kap në flagrancë në lagjen nr. 1, duke vjedhur në banesën e shtetasit V. T.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera, kqyrja e pamjeve filmike dhe provave të grumbulluara, u dokumentuan edhe 16 vjedhje të tjera, ngjarje të ndodhura tre muajt e fundit në Korçë, ku janë vjedhur piktura me vlerë, sasi lekësh, orendi e pajisje shtëpiake, autor i të cilave dyshohet të jetë shtetasi E. B., konkretisht:
– Në lagjen nr. 3, është vjedhur banesa e shtetases V. M.
– Në lagjen nr. 10, është vjedhur banesa e shtetasit J. Ç.
– Në lagjen nr. 12, janë tentuar të vidhen 4 banesa; është vjedhur banesa e shtetasit M. K., dhe dyqani i shtetasit K. B.
– Në lagjen nr. 17, është vjedhur lokali i shtetasit A. Xh.
– Në lagjen nr. 18, është vjedhur lokali i shtetasit Sh. G., banesa e shtetasve L. G; Ll. P; dhe A. Ç; është tentuar të vidhet banesa e shtetasit Dh. G; dhe është vjedhur dyqani i shtetasit I. C.
– Në lagjen nr. 1, është tentuar të vidhet një objekt kulti.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan piktura me vlerë dhe sende të tjera të vjedhura. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja, e kryer më shumë se një herë”.

-Bulqizë. Ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës dhe motrës së tij, arrestohet në flagrancë 27- vjeçari. Në pranga dhe një shtetas tjetër për veprën penale “Vjedhje”. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u arrestua në flagrancë shtetasit: H. M., 27 vjeç, banues në Bulqizë, pasi në banesë ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj nënës dhe motrës së tij. Vepra penale “Dhunë në familje”
Gjithashtu u arrestua në flagrancë nga Policia, shtetasi E. D., 21 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se ka vjedhur disa sende në banesën e shtetases D.H.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur do t’i referohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.

-Kurbin . Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kufiri”.
Vihen në pranga 4 shtetas, si autor të dyshuar të tentativës për kultivim të kanabisit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Kufiri”, si rezultat i të cilit është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit : Z. Gj., 59 vjeç dhe Gj. K., 29 vjeç, banues në Tiranë, B. U., 17 vjeç, banues në Krujë dhe E. M., 51 vjeç, banues në Milot, Kurbin. Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunimin me njeri-tjetrin në kufirin e fshatrave Fangë, Mirditë dhe Shkopet, Kurbin, kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestraur kubikë ku dyshohet se ishin kultivuar fara kanabisi
Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme

-Fier . Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim F. D., 46 vjeç, banues në Metaj, Fier.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një shtetase 28-vjeçare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Përndjekja”.

-Gjirokastër. Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Kapet dhe ndalohet 48-vjeçari (ish punonjës i Postës) i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në D.V.P Gjirokastër mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit J. D., 48 vjeç, banues në Lunxhëri, Gjirokastër.
Ndalimi i këtij shtetasi u krye pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër me shkresë të datës 05.10.2018, ka dërguar Urdhërin për Ekzekutimin e Vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale ” Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Kronologjia e ngjarjes: Shtetasi i mësipërm ka qënë punonjës i Postës Shqiptare, duke shpërdoruar pozicionin e punës ka tërhequr pensione të qytetarëve të ndryshëm dhe nuk e ka kryer shpërndarjen e shumës së parave tek personat përkatës.
Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit J. D. i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

-Elbasan .Vijon intensivisht puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve kriminale të nodhura më parë.
Shkon në 4 numri i të arrestuarve për vrasjen e shtetasit F.L.
Vihen në pranga dy shtetas për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Strukturat e DVP Elbasan nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë vijuar intensivisht punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes kriminale të ndodhura më parë. Në vijim të hetimeve të thelluara në kuadër të proçedimit penal në lidhje me ngjarjen e datës 30.07.2020, ku në ambientet e një bar kafeje të qytetit të Elbasanit mbeti i vrarë me sende të forta shtetasi F. L. ( Sh.) është bërë e mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale kapja dhe ndalimi i shtetasve :
M.M., 33 vjeç dhe A.L., 40 vjeç, të dy banues në Elbasan.  Kapja dhe ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Shkallës Parë Elbasan, ka vendosur për këta shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Moskallëzim të krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në ngarkim të shtetasit M.M dhe “Moskallëzim të krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Deklarim i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore” në ngarkim të shtetasit A.L.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Gjirokastër.Tentoi të godas me thikë një shtetas, bie në pranga 55- vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Th., 55 vjeç, banues në fshatin Picar, Gjirokastër(me probleme të shëndetit mendor). Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi mesditën e djeshme ky shtetas ka goditur me sende të forta shtetasin Ç. H., 74 vjeç, banues në Picar, duke i shkaktuar dëmtime në trup, si dhe ka tentuar ta godasi me mjet mprehës (thikë) por fal ndërhyrjes së të birit autori është larguar. Menjëherë pas njoftimit kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe neutralizimin e 55 – vjeçarit F. Th. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti mprehës (thika). Materialet në ngarkim të shtetasit F. Th. i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër bënë shpalljen në kërkim për shtetasit I. B. dhe R. B. (bab dhe bir), pasi këta shtetas goditur me grushta ne pjesë të ndryshme të trupit shtetasin M. B., administrator i Njësisë Administrative Lazarat, pas një debati për pastrimin e urës në Lazarat. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Pushtimi i tokës”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 26 janë arrestuar, 7 janë ndaluar dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 3 raste të “Kanosja”, në Tiranë; Dibër dhe Vlorë ; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Dibër, 1 në Lezhë, 1 në Elbasan; 1 në Vlorë; ku autorët po procedohen në gjendje të lire; 1 rast të “Plagosja e rëndë me dashje”,në Tiranë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 raste në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë;
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë; dhe nga 1 rast në Berat dhe Dibër, ku 1 autorë është arrestuar në flagrancë, 1 është kapur nga kërkimi, 1 është shpallur në kërkim dhe 1 tjetër po procedohet në gjendje të lire. Janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e shkatërrimit të pronës me zjarr është evidentuar 1 rast në Vlorë ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimit të dokumentave”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është proceduar në gjendje të lirë 1 shtetas për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”.
Janë evidentuar 5raste të “Ndërtimit të paligjshëm”, 4 në Tiranë; 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerjes së paligjshme të pyjeve”, 1 Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “ Pusthtim toke”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Kundërshtim i punonjësit të policisë të rendit publik”, në Tiranë dhe Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, ku janë lënduar lehtë, jashtë rrezikut për jetën 5 shtetas.
Janë evidentuar 6 shtetas, që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, ku janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas në Tiranë, Korçë dhe Berat, dhe janë proceduar 3 të tjerë në Tiranë dhe Elbasan.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas në Tiranë, për drejtim automjeti në gjendje të dehur
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.