Operacioni i zhvilluar, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së banesave dhe bizneseve.
Arrestohet në flagrancë një 33-vjeçar, si autor i dyshuar i 17 vjedhjeve të ndodhura në qytet.
Sekuestrohen piktura me vlerë dhe sende të tjera të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve të ndodhura tre muajt e fundit në qytetin e Korçës, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, në bazë edhe të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pikturat”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
• E. B., 33 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për vjedhje).
Shtetasi i mësipërm, ka qenë nën ndjekjen dhe monitorimin e Policisë kur u kap në flagrancë në lagjen nr. 1, duke vjedhur në banesën e shtetasit V. T.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera, kqyrja e pamjeve filmike dhe provave të grumbulluara, u dokumentuan edhe 16 vjedhje të tjera, ngjarje të ndodhura tre muajt e fundit në Korçë, ku janë vjedhur piktura me vlerë, sasi lekësh, orendi e pajisje shtëpiake, autor i të cilave dyshohet të jetë shtetasi E. B., konkretisht:
– Në lagjen nr. 3, është vjedhur banesa e shtetases V. M.
– Në lagjen nr. 10, është vjedhur banesa e shtetasit J. Ç.
– Në lagjen nr. 12, janë tentuar të vidhen 4 banesa; është vjedhur banesa e shtetasit M. K., dhe dyqani i shtetasit K. B.
– Në lagjen nr. 17, është vjedhur lokali i shtetasit A. Xh.
– Në lagjen nr. 18, është vjedhur lokali i shtetasit Sh. G., banesa e shtetasve L. G; Ll. P; dhe A. Ç; është tentuar të vidhet banesa e shtetasit Dh. G; dhe është vjedhur dyqani i shtetasit I. C.
– Në lagjen nr. 1, është tentuar të vidhet një objekt kulti.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan piktura me vlerë dhe sende të tjera të vjedhura.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja, e kryer më shumë se një herë”.