Durrës – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Silenciatori”.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim të ngushtë me nga Forca e Posaçme Operacionale në DVP Durrës.

Sekuestrohen armë zjarri me silenciator, drogë e veshje antiplumb si të Policisë.

Vihen në pranga 3 shtetas, 1 prej tyre i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, falë edhe kontrolleve të shtuara kohët e fundit me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, bazuar në informacionet që Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dispononte, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Silenciatori”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

B. M., 28 vjeç; V. Z., 24 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, të tre banues në Durrës.

Mbi bazën e informacioneve të marra më parë, është mbajtur nën vëzhgim mjeti me të cilin këta shtetas po qarkullonin dhe në lagjen nr.17, Kënetë, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin e dyshuar për kontroll.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin B. M., në sediljen e pasagjerit, në një çantë dore, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri me silenciator dhe në bagazhin e mjetit një jelek antiblumb si i Policisë.

Nga hetimet dhe informacionet e marra, rezulton se armën e zjarrit dhe antiplumbin do t’i shisnin kundrejt vlerës 3000 euro.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e shtetasit V. Z., u gjetën 10 doza me lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave që do të blinin sendet e kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprat penale “Armëmbatja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.