Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 11 shtetas, 3 prej të cilëve ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë pas njoftimit të marrë se në fshatin Mengaj, Kavajë, shtetësja B.K., në gjendje depresive dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri, menjeherë kanë organizuar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Nga veprimet hetimore të kryera nga grupi hetimor, i përbërë nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë ka rezultuar se arma e zjarrit e përdorur nga kjo shtetase mbahej në banesë prej vitesh pa leje nga babai i saj shtetasi P.K.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimin në flagrancë i shtetasit P.K.,60 vjeç, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit.

-Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të shpallur në kërkim E.Gj., 41 vjeç, pasi në rrugën “Pandi Dardha”, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetuses, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëherëshme.

-Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.5, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kanosje”,‘‘Demtime të tjera me dashje”,“Prishje e rendit dhe qetesisë publike” dhe “Shkatërrim i pronës me dashje” kryer në bashkëpunim, të shtetasit të shpallur në kërkim E.K., 25 vjeç, pasi në rrugën ”Besëlidhja”, Bathore, në bashkëpunim me vëllain e tij A.H, dhe me disa persona ende të paidentifikuar, janë konfliktuar fizikisht duke e goditur me grushta shtetasin M.Gj, 24 vjeç, si dhe i ka goditur me sende të forta mjetin e tij duke e dëmtuar atë.

-Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.5, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E.M., 29 vjeç dhe M.M., 31 vjeç, (vellezër), sepse në rrugën “Rilindja”, Valias i Ri, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin K.B., 24 vjeç, dyshohet se kanë qëlluar në ajër me armë zjarri pistoletë.

-Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vore, bënë ndalimin e shtetasve A.K., H.K., dhe P.K (vëllezer), banues ne fshatin Ahmetaq bashkia Vore, pasi dyshohet se janë autor të kultivimit të disa bimeve të dyshuara narkotike, të konstatuara gjatë kontrollit të pandërprerë të territorit , në një sipërfaqe toke të punuar prej tyre.

-Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”,“Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës” i shtetasit T.Y., 27 vjeç, si dhe u referuan materialet për veprën penale ““Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” për shtetasin S.M., pasi në Unazë të Re, tek sheshi “Univers”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin S.M., u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa. Gjatë shoqerimit për në Komisariat shtetasi T.Y., ka kundërshtuar, kanosur dhe goditur për shkak të detyrës punonjësin e policisë.

-Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4, u bë ekzekutimi i urdhërit të Prokurorit, për shtetasin në kërkim Xh.K., 47 vjeç, banues në Peshkopi, i dënuar më parë për veprën penale “Mashtrimi”, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë, e ka dënuar me 4 vite burg, për veprën penale “Heqje e paligjshme e lirisë”.

-Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R.M., 32 vjeç, pasi në autostradën Tiranë-Durrës, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatese.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.