Policia e Shtetit
Me rastin e festës së 1 Qershorit, Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, vizitoi Qendrën e Zhvillimit “Pëllumbat” në Tiranë.
Drejtoresha e qendrës Anila Shenjtolli ka falënderuar Zv/Drejtorin e Përgjithshëm për vizitën, vëmendjen dhe bashkëpunimin që Policia e Shtetit ka me këtë qendër dhe me qendrat e tjera që merren me trajtimin e fëmijëve me aftësi të veçanta. Zj. Shenjtolli gjatë fjalës së saj, ka uruar edhe fëmijët e punonjësve të Policisë, të Dëshmorëve të Policisë dhe të ish-punonjësve të Policisë, gëzuar festën.
Në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, i cili ndodhet jashtë shtetit për një vizitë zyrtare, Zv/Drejtori i Përgjithshëm Albert Dervishaj ka uruar fëmijët e kësaj qendre, gëzuar festën, si dhe u ka dhuruar atyre disa dhurata simbolike në emër të Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij z. Devishaj u shpreh: “Në tërësi, shteti i ka të konsoliduara politikat dhe institucionet e përkujdesit dhe edukimit, në shtëpitë e fëmijëve në të gjithë Shqipërinë. Por kjo qendër, ka një specifikë të veçantë, pasi e shkuara e këtyre fëmijëve është vërtetë prekëse. Për këtë arsye, aftësimi dhe rehabilitimi i vazhdueshëm i tyre përbën vërtetë një sfidë të veçantë për ju si drejtues dhe edukatorë, por edhe për ne si ruajtës të rendit dhe qetësisë publike.
Shqetësimeve të shkaktuara nga problemet e ndryshme të familjeve prej nga vijnë, këta fëmijë i përgjigjen me gjuhën e artit, gjë që ka një domethënie dhe një mesazh shumë të qartë për të gjithë shoqërinë tonë.
Gjithsekush do të duhet të gjejë një mjet, formë apo mënyrë për t’iu përgjigjur së keqes, dhe arti, në thelbin e tij, është kundërpërgjigja më e mirë që e prish dhe e zhbën këtë prirje të individit në shoqërinë njerëzore.
T’i vendosësh të keqes përballë, modelin e kundërt të saj, është gjetja dhe zgjidhja më e merituar në luftën dhe përpjeket që bëjmë në përditshmërinë tonë, në të gjitha frontet e punës dhe detyrat që na janë ngarkuar.
Për këtë arsye, do të doja të falënderoja këta fëmijë të mrekullueshëm për këtë mësim të vyer që na japin me punët e tyre, i cili ndoshta frymëzimin e ka nga e kaluara e tyre, por i kushtohet më shumë se kurrë të sotmes që jetojnë dhe syve që mbajnë nga e ardhmja.
Ju faleminderit fëmijë të dashur dhe të jeni të sigurtë se shteti shqiptar dhe më së shumti ne si punonjës policie, do t’ju gjendemi në çdo moment, pasi pa praninë dhe rolin tuaj, shoqëria ku bëjmë pjesë nuk do të kishte ngjyrat, larminë dhe kuptimin që e karakterizon.”
Në fund të vizitës, Drejtoresha Anila Shenjtolli, në emër të fëmijëve i ka dorëzuar Zv/Drejtorit të Përgjithshëm, një pikturë të bërë nga fëmijët e kësaj qendre, si dhuratë për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe kujdesin e treguar nga ana e Policisë së Shtetit, për të mbrojtur fëmijët, anembanë vendit.