Policia e Shtetit
Zëvendëspresidentja e BKA-së, vizitë pune në Policinë e Shtetit.
Proda – Link: “Forcimi i bashkëpunimit është çelësi i suksesit të përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një vizitë pune Zëvendëspresidenten e Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), znj. Martina Link, e shoqëruar nga z. Markus Koths dhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni.
Në qendër të takimit ishte forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Drejtori Proda shprehu vlerësimin për kontributin e BKA-së dhe theksoi:
“Partneriteti ynë është ndërtuar mbi besim dhe transparencë. Bashkëpunimi ynë është dëshmi se krimi i organizuar luftohet vetëm përmes aleancave të forta ndërkombëtare. Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim.”
Zëvendëspresidentja Link u shpreh:
“Ju vlerësoj për rezultatet dhe profesionalizmin tuaj. Projekti ORKA është një model bashkëpunimi të suksesshëm, sidomos për shkëmbimin efikas të informacionit në fushën e krimit të organizuar. BKA do të vijojë mbështetjen dhe do të intensifikojë iniciativat e përbashkëta.”
Të dy palët u dakordësuan për thellimin e bashkëpunimit në hetimet financiare dhe sekuestrimin e aseteve të grupeve kriminale. Gjithashtu, Drejtuesi i Lartë Neritan Nallbati kërkoi mbështetjen e BKA-së për trajnimin e stafit në fushën e krimeve kibernetike.
Takimi u pasua me diskutime teknike mes përfaqësuesve të BKA-së dhe strukturave të Departamentit të Policisë Kriminale.